Pozita e opozita, të ndara rreth projektligjit për rregullimin e çmimeve të barnave

Pozita e opozita, të ndara rreth projektligjit për rregullimin e çmimeve të barnave – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Shqyrtimi i Projektligjit për rregullimin e çmimit të produkteve mjekësore ka përplasur pushtetin me opozitën në seancën e Kuvendit.

Deputetja Floretë Zejnullahu e PDK-së, si parti iniciuese e projektligjit, ka thënë se Qeveria s’i ka marrë parasysh propozimet e kësaj partie opozitare.

“Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, tha ajo.

Sipas saj, Qeveria s’i ka marrë parasysh propozimet e tyre, vetëm pse projektligji ka ardhur nga një parti opozitare.

“Qeveria e ka lënë qytetarin pa ‘Remdesivir’ në pikun e pandemisë dhe qytetarët kanë shpenzuar një milion euro në blerjen e këtij bari. Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, ka thënë ajo.

Ka reaguar deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, i cili deklaroi se është PDK-ja ajo e cila e ka bërë të kundërtën, pra duke çrregulluar tregun e barnave.

“Pse nuk e keni sjellë në Kuvend këtë projektligj për 20 vjet? Pranojeni që nuk e kishit qëllim e as tash nuk e keni qëllim, por keni interes për përshtatjen e çmimeve me kompanitë ku ju keni hise. Mos krijoni iluzione të shtyni agjenda tuajat në kundërshtim me interesin e qytetarëve në Qeverinë e Albin Kurtit. Nuk do të lëshohem në përmbajtje sepse aty ka gabime elementare. LVV-ja ka qenë gjithmonë e zëshme për ta rregulluar këtë çështje, por jo si ju”, ka thënë Muzaqi.

Në përgjigjen ndaj Muzaqit, deputetja Zejnullahu ka thënë se ligji është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian e se “është për t’i ndalur abuzimet në sektorin e farmacisë”.

Teksa ka mohuar lidhjet me oligarkët, ajo ka akuzuar VV-në se “është e shitur te ta”.

“Ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike. Kjo ju shtyn me e pengu këtë ligj”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë, ka thënë se kjo fushë duhet të rregullohet me ligj me domosdoshmëri.

“Në mandatin e deputetëve është edhe hartimi i ligjeve edhe ky ligj është hartuar dhe ka shkuar ne Qeveri për mendim. Por, nuk duhet të akuzohet se është bërë ligj i keq sepse deputetët këtë punë kanë të bëjnë ligje dhe nëse nuk janë të mira e kemi mundësinë e përmirësimit të tyre. Ne e përkrahim këtë projektligj”, ka thënë ai. /eo