Featured Image

Pozitiviteti i veprave të artistit Miço Mone në ekspozitën “Nudo d’anima”

Skulptori dhe piktori Miço Mone më 25 shtator, në një nga qytetet më prestigjioze të artit, në Verona, hap ekspozitën e tij titulluar “Nudo d’anima”. Ekspozita promovohet nga autoritete të artit e mbështetet nga komuna e Veronës.

Artisti shqiptar vjen pas një eksperience të gjatë pune këmbëngulëse, apo siç thuhet nga kritika në Albumin e tij prestigjioz me fotot e veprave të ekspozitave të mëparshme: “dora e tij zotëron lirinë e atij që shumë ka parë e shumë ka vuajtur.”

I lindur në Divjakë, në një vend që për nga bukuria natyrale të le pa frymë, pajisur me talentin, ndjeshmërinë e lartë ndaj të bukurës Miço Mone nuk mund të përballonte lavën krijuese që i ziente brenda shpirtit pa e derdhur në veprat e tij, në fillim duke punuar me baltën, ngjyrat, shkallë-shkallë me bronxin, për të arritur te mermeri i rafinuar rosso Portogallo e mermeri i famshëm Carrara i Michelangelos.

Skulptura e piktura lindën tek ai në mënyrë instiktive, spontane. Ekspozitën e parë Mone e hapi me punimet e periudhës së viteve pas gjimnazit. Vlerësimet nga kritika e ekspertet e kohës konsoliduan lidhjen e tij me artet figurative.

Më 1998 transferohet në Verona për të punuar me mermerin precioz, duke arritur “të modelojë në bardhësi e në dritë forma trupash elegantë e dinamikë“.

Nga 2009 i regjistruar në SBAV (Società Belle Arti Verona) ka marre pjesë në të gjitha ekspozitat kolektive të organizuara në Itali e jashtë. Veprat e tij janë ekspozuar në Austri, Francë, Bruksel. Sipas Albumit të 2015-ës, ku permblidhen tre ekspozita personale skulpturat në mermer kalojnë 70, ato në qeramikë 30, në bronx 30 dhe më shumë se 100 piktura në vaj.

Ndërsa në ekspozitën titulluar “Nudo d’anima”, qe ceremonia e çeljes bëhet këtë të premte, datë 25 shtator ora 17.30, autori paraqet mbi 30 vepra në qeramikë, 21 piktura në vaj si dhe disa vepra në mermer e bronx. Gjithë krijimtarinë e autorit e përshkon humanizmi, ai nuk rreshtet së trasmetuari në pikturën e skulpturën e tij ide pozitive, duke zbuluar botën e brendshme të njeriut, dashurinë e pastër, e dashurinë për të bukurën./ disporashqiptare/ KultPlus.com