Prishtina një hap më afër rikthimit të ish–“Kino Rinisë”

Prishtina një hap më afër rikthimit të ish–“Kino Rinisë”

Kur nuk ka mbetur më asnjë shenjë prej asaj që ishte dikur, Komuna e Prishtinës është një hap më afër që ta rikthejë ish-“Kino Rininë”. Ka qenë kryetari Përparim Rama, ai që shkurtazi ka shpërndarë “lajmin fantastik për Prishtinën” se objekti i kinemasë së dikurshme – i cili vjeshtës së vjetme mbrohet si monument – i kthehet Komunës nën menaxhim.

“Objekti i ‘Kino Rinia” i rikthehet në menaxhim kryeqytetit pas shumë vitesh. Pas një pune disamujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e ‘Kino Rinisë’ nën menaxhimin tonë”, ka shkruar Rama.

Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka mbajtur mbledhje të enjten. Në njoftimin për të, shkruhet se ky organ ka “miratuar largimin e ndërtesës (asetit) ‘Kino Rinia 1’ të NSH Kinema ABC nga regjistri i pronave të N.Sh. Kinema ABC Prishtinë dhe nga Sistemi i Menaxhimit të Aseteve të NSH-ve”.

Kryetari Rama ka shkruar se Komuna e ka rikthyer objektin nën menaxhim pasi ka hapur arkivat.

“Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP-ja”, ka shkruar ai. Ka bërë të ditur për hapat e mëtejmë.

“Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit”, ka shkruar ai.

Historia e kinemasë, çështja e menaxhimit me objektin, shfrytëzimi e dhënia me qira, është një sagë më vete.

“Kino Rinia” u hap më 1953. Gjatë viteve ’60 ishte djegur e rregulluar sërish. Komuna e Prishtinës e kishte shpronësuar atë hapësirë me qëllim që ta bëjë kinemanë. Kinemaja dikur me 850 ulëse, do të funksiononte si kinema edhe gjatë viteve ’90, e menaxhuar nga serbët. Pas luftës, të kota qenë tentativat për ta rikthyer si kinema nën emrin “Kinema ABC 2” menaxhuar prej kompanisë për shfaqjen dhe distribuimin e filmit “Genci”, e cila në majin e vitit 2000 riktheu edhe kinemanë e dikurshme “Vllaznimi” me emrin “Kinemaja ABC”, në rrugën “Rexhep Luci”. Prej vitit 2005, ish-objektin e “Kino Rinisë”, “Genci” do të niste ta jepte me qira. Për një kohë qe Gjykatë, më pas diskotekë e lojëra fati.

Milazim Salihu, i cili deri para gjashtë vjetësh, për një dekadë e gjysmë kishte udhëhequr ndërmarrjen për distribuimin dhe shfaqjen e filmave “Genci”, të themeluar më 2000, të premten ka thënë se në vitet ‘50 Komuna e Prishtinës e kishte blerë tokën dhe ia ka dhënë “në shfrytëzim të përhershëm kompanisë ‘Nikolla Tesla’”.

Thotë se tash, kjo çështje varet prej asaj se çfarë marrëveshjeje kanë Komuna me AKP-në. Por, ka ngritur edhe çështjen e punëtorëve të ndërmarrjes që ka udhëhequr dikur. “Çfarë do të bëhet me ata punëtorë? Shpresoj që punëtorët nuk do të dalin pa asgjë”, ka thënë ai.

Për destinimin e objektit s’ka pasur dilema. “Hapësira e kinemasë duhet të jepet për kinema. Tek e fundit le ta japin për kinema nëpërmjet tenderit”, ka thënë ai.

Më 2020 në ish-objektin e “Kino Rinisë” qe tentuar të bëhet rinovim i hapësirave. Bëhej fjalë për një ndërmarrës që posedon një rrjet marketesh. Por puna i ishte ndalur përderisa edhe shenjat që kujtonin kinemanë e dikurshme nuk janë më. Një pjesë e hapësirës së objektit ishte në proces rinovimi për nevojat e qiramarrësit paraprak, por që këto punime qenë ndaluar pas mosmarrëveshjeve në mes të qiramarrësit dhe qiradhënësit, që kishte rezultuar me ndërprerjen e kontratës së qirasë.

Në qershorin e vitit 2020, AKP-ja – që menaxhon me ndërmarrjen “Genci”, asetet e së cilës janë në likuidim që prej vitit 2014 – atë që e kishte quajtur “hapësira afariste e tenderuar me sipërfaqe të përgjithshme prej 1722m2”, kishte synuar ta jepte me qira.

Asokohe, AKP-ja do të sqaronte se ky objekt pas luftës së fundit nuk ka mundur të funksionalizohet si kinema, sepse ka qenë e pamundur dhe hapësirat e brendshme të objektit kanë nevojë për investime të theksuara në veçanti nëse planifikohet të shfrytëzohet si kinema. Po ashtu, kishte sqaruar se një pjesë e oborrit që shfrytëzohej si parking, nuk kishte më atë destinim me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

“Toka evidencohet në emër të Komunës së Prishtinës. Lidhur me këtë pronë, ju informojmë se ekziston kontest pronësor në mes të Ndërmarrjes Shoqërore (AKP) dhe Komunës së Prishtinës. Po ashtu, ju informojmë se AKP-ja është në konsultim të vazhdueshëm me Ministrinë e Kulturës mbi kërkesën e kësaj ministrie që ky subjekt bashkë me asetet e saj të marrë një status tjetër përmes Ligjit për kinematografinë e Kosovës. Prandaj, AKP-ja nuk e ka planifikuar për shitje/privatizim deri në sqarimin përfundimtar qoftë të kontestit civil, qoftë të statusit të subjektit në koordinim me Ministrinë e Kulturës”, ishte sqarimi që kishte dhënë AKP-ja, në korrikun e vitit 2020. Pak ditë më vonë, Ministria e Kulturës do të kërkonte rikthimin e ish-“Kino Rinisë” tashmë të tjetërsuar. Do të reagonte pas njoftimit për lëshimin me qira të objektit, teksa i kërkonte Agjencisë Kosovare të Privatizimit që objekti të “ribëhet” kinema. AKP-ja kishte përzgjedhur ofertuesin me çmimin më të lartë për dhënien me qira të objektit afër qendrës së kryeqytetit.

“Siç jeni në njohuri edhe ju, në ‘Kino ABC 1’, kanë filluar të bëhen disa punime, ku si rezultat i këtyre punimeve ‘Kino ABC 1’ është duke iu ndryshuar në tërësi destinimi dhe qëllimi i veprimtarisë së saj”, shkruhej në shkresën e MKRS-së drejtuar AKP-ja. Aty cekej edhe Ligji për kinematografi, që përcakton se pa lejen e Qendrës Kinematografike të Kosovës nuk mund t’u ndërrohet destinimi kinemave. Madje, edhe nëse ato shiten.

Në tetorin e vitit të kaluar, Ministria e Kulturës do të fuste ish-objektin e “Kino Rinisë” në Listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Këto ditë “Kino Rinia” e dikurshme është ringjallur me “Manifesta 14”. Është një prej 25 lokacioneve të Bienales Nomade Evropiane. “Sometimes It Was Beautiful”, është titulli i veprës së artistit, Christian Nyampeta, që po shfaqet aty.

Milazim Salihu, që tash menaxhon me gjigantin “Cineplexx” në Kosovë, është në pritje se çfarë do të ndodhë me “Kino Rininë”.

“Ta shohim çfarë do të bëhet. Shpresojmë se nuk do të bëhet ndonjë kullë”, ka thënë ai, pak orë pas “lajmit fantastik për Prishtinën” të kryetarit Rama.