Prishtina përjeton eksperiencën unike të kinemasë “Drive in”

Prishtina përjeton eksperiencën unike të kinemasë “Drive in”

Ndër vite është dëshmuar se magjia e ekranit të madh asnjëherë nuk do të shuhet. Kinemaja çdo herë do të mbetet një strehë drejt së cilës njerëzit ngarendin pa ndalur. Kjo u dëshmua edhe të shtunën, kur hapësira parkuese e “Prishtina Parking”, mbrapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u mbush me vetura. Të pranishmit nga karriget e veturave kishin drejtuar sytë drejt ekranit që shfaqte “Pulp Fiction” që nga shumë njerëz njihet si kryevepra e Quentin Tarantino. Në këtë rend aspak të pazakontë – nga veturat e në ambient të hapur – audienca përjetoi atë që po konsiderohet rikonceptimi i kinemave në kohë pandemie.

Kinematë “Drive-in”, ku njerëzit ruajnë distancën duke qenë në veturat e tyre, po shihen si një alternative për të mbajtur ndezur ekranet pasi që pandemia e koronavirusit u ka dhënë fund tubimeve të mëdha. E përzgjedhja e organizatorëve dërgoi publikun te komedia e zezë e zhanrit krim, “Pulp Fiction”. Filmi fitoi “Palme d’Or” në vitin 1994 në Festivalin e Filmit në Cannes. Pati shtatë nominime në edicionin e 67-të të “Academy Awards”, përfshirë atë për filmin me të mirë dhe fitoi Çmimin për skenarin me të mirë origjinal, si dhe i solli aktorëve John Travolta, Samuel L. Jackson dhe Uma Thurman nominim për “Oscar” dhe bujë në karrierën e tyre. Struktura e tij origjinale sipas kritikëve, e bënte atë si një nismëtar të postmodernizmit në film. Narrativa që nuk është kronologjike sjell tri rrëfime të ndërlidhura me protagonistë të ndryshëm.

Organizimi u bë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës me propozim të “Architecture for Humans”. Vetura u është dashur vetëm që të paguajnë 0.90 cent për parking.

Adrian Berisha, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar organizime të tilla i duhen kryeqytetit dhe njerëzve më shumë se asnjëherë.

“Shpresoj që sonte keni arritur të largoheni sadopak nga problemet ditore, e përmes filmit ‘Pulp Fiction’ keni përjetuar një natë më ndryshe me njerëzit që i doni më së shumti. ‘Drive in Cinema’ u mirëprit mjaft mirë e ne do të mundohemi që ta përsërisim këtë natë”, ka shkruar ai duke shtuar se hapësira parkuese ku u mbajt ngjarja asnjëherë nuk është dukur më bukur.

Për shumë të pranishëm u pa si mundësi e re për të ikur nga shtëpitë e tyre duke respektuar rregullat e distancës sociale.

“Kam ardhur me e shiku filmin për qejf. Kam dalë me shoqëri, pasi që jemi bo bajat pak te shpija”, ka thënë Ardit Gashi.

Por për shumë, diçka e tillë duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Imer Stanovci, i cili një eksperiencë të tillë e ka përjetuar në Turqi në të kaluarën, ka thënë se edhe kryeqyteti duhet të njihet me këtë formë të shfaqjes së filmave.

“Na ka marrë malli me e pa në Prishtinë një vend të tillë. Organizimi është perfekt. Është dashur shumë që kjo të ndodhte edhe shumë më herët edhe në kohë të pandemisë por edhe gjithmonë kemi nevojë për diçka të tillë. Ka nevojë qyteti që të ketë një kinema të hapur”, ka thënë ai.

E Ilir Selmani e ka konsideruar këtë një eksperiencë unike në shumë aspekte.

“Pandemia ka bërë që të kemi frikë që të tubohemi në publik dhe përdorimi i kinemave ku mund të shkosh me vetura është një mënyrë për të qëndruar të sigurt”, ka thënë ai. Ka shtuar se kufizimi i lëvizjes që ishte në ora 22:00 dhe përfundimi i filmit në të njëjtën kohë duhet rregulluar pasi që sipas tij, kjo bëri që disa makina të largohen më herët.

Në këtë kohë të pazakontë, sallat e kinemave kanë mbetur pothuajse të zbrazëta për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit për shkak të ndalimeve të tubimeve në turmë, shikimi i filmave nga veturat ka marrë jehon. “Drive-in” i plotëson kushtet themelore, pasi njerëzit janë të ndarë nga njëri-tjetri në veturat e tyre dhe ka hapësirë të mjaftueshme për të mundësuar distancim fizik.

Kështu, “Drive-ins” që nga prilli i vitit të kaluar u kthyen në senzacion, e në kryeqytet erdhën të shtunën mbrëma, shtatë muaj pas Gjakovës që ndezi për herë të parë në Kosovë projektorin e madh për të parë filma nga rehatia e veturave. Hapja e kinemasë me vetura, 83 kilometra larg kryeqytetit u bë nga organizata joqeveritare “DU ART” – e cila është edhe organizatore e parkut kulturor “Ali Podrimja” – në bashkëpunim me diskotekën “MTLK” në Gjakovë.

Shfaqja e filmave nisi më 15 shtator të vitit të kaluar me filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harrua” (2019) nën regji të Kushtrim Bekteshit për të vazhduar me filma nga kinematografia shqiptare, por edhe ajo e huaj.

Për pesë javë mes filmave që u shfaqën ishte “Shpia e Agës” (2019) nën regji të Lendita Zeqiraj, “Zonjusha” (2016) nën regji të Genc Berishës, “Diamanti” (2018) nën regji të Genc Berishës, “Era”, “Grykësi” (2015), “Rruga” (2019) dhe “Më fal” (2018) nën regji të Besim Ugzamjlit si dhe “Honeyland” (2019) nën regji të Tamara Kotevska e Ljubomir Stefanov, “David Attenborough: A Life On Our Planet”(2020) nën regji të Alastair Fothergill, Keith Scholey dhe Jonathan Hughes, “Social Dilema” (2020) nën regji të Jeff Orloëski.

Ndryshe, “Drive-In Cinema” është një formë e strukturës së kinemasë që fillon e mbaron në mjedise të jashtme. Brenda një hapësire të shënjuar, zakonisht një parking veturash, shikuesit shohin filma brenda privatësisë dhe rehatisë së veturave të tyre.

Sipas informacioneve mbi këtë lloj kinemaje e teatri, “Theatre de Guadalupe”, në Las Cruces, New Mexico, konsiderohet si nismëtar më 23 prill 1915.

Me rritjen e numrit të njerëzve që kishin vetura, veçmas pas Luftës së Dytë Botërore, pati një shpërthim të teatrove dhe kinemave “Drive in”. Piku i tyre ishte në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ’60 me rreth 4 mijë “drive-ins” në krejt Shtetet e Bashkuara. Sipas historianëve dhe njohësve të asaj periudhe, ato ishin një alternativë për kinematë dhe teatrot e mbyllura edhe për faktin se ishin më të lira.

Ndonëse prej viteve ‘70 e tutje, “drive-ins” pësuan një tatëpjetë, mijëvjeçari i ri solli një ringjallje sidomos nga ana e nostalgjikëve. E tani, hapësirat për “Drive-In” po gjejnë, po ashtu, mënyra të reja për t’u lidhur me audiencën, duke mbajtur distancën sociale.

Pasi që shikimi i filmave në një sallë të mbushur plot, ku njerëzit qëndrojnë afër njëri-tjetrit me shumë gjasa nuk do të ndodhin përsëri, pa gjetjen e një vaksine kundër virusit COVID-19. Tani për tani, të shohësh filma nga rehatia e veturës është bërë diçka e zakonshme.