“Prizrenfest” nis rrugëtimin me dramën boshnjake të viteve ‘90

“Prizrenfest” nis rrugëtimin me dramën boshnjake të viteve ‘90

Shfaqja e cilësuar si e vështirë sa vetë jeta është përballur me realitetin e netëve të gjalla verore të Prizrenit. Kësisoj, drama “To nikad nigde nije bilo” (Kjo s’ka ngjarë askund asnjëherë) me regji të Dino Mustafiqit e Teatrit Kombëtar të Sarajevës është dashur të ndërpritej për disa minuta derisa të krijoheshin kushte më të përshtatshme për aktorët në skenën e vendosur në kopshtin e kinemasë “Lumbardhi”. Mirëpo ky episod i pakëndshëm nuk ka prishur magjinë e komunikimit ndërmjet aktorëve dhe publikut, me ç’rast pas rreth dy orësh audienca me duartrokitje të gjata ka vlerësuar angazhimin e artistëve mysafirë, që kanë interpretuar në natën e hapjes së edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “Prizrenfest”.

Në ceremoninë e hapjes së festivalit, njëri prej bashkëthemeluesve të tij, Adrian Morina, ka bërë të ditur se shfaqja e Teatrit Kombëtar të Sarajevës është vendosur në programin e natës së parë me qëllim që ta ndjellë jetëgjatësinë e tij.

“Sonte po e nisim rrugëtimin e festivalit me shfaqjen ‘To nikad nigde nije bilo’ (Kjo s’ka ngjarë askund asnjëherë), e cila është bërë enkas për 100-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Sarajevës. Përveçqë është shfaqje e jashtëzakonshme, ne e kemi zgjedhur edhe për një simbolikë, meqenëse ‘Prizrenfesti’ sivjet nis dhe e ka edicionin e parë, e ne po shpresojmë që ta shënojmë edhe 100-vjetorin dikur ma vonë. Edhe besoj se krejt qysh jemi sonte kemi me u mbledh pas 100 vjetëve këtu, kemi me festu bashkë”, ka thënë Morina, i cili është edhe aktor i ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ka thënë se është i sigurt se gjeneratat që do të vijnë nuk do të kenë mundësinë që të thonë se kjo nuk ka ndodhur kurrë asnjëherë, por do të thonë se këtu para 100 vjetësh ka nisur një festival ndërkombëtar që e ka emrin ‘Prizrenfest’ me moton “Rroftë Teatri”.

Festivali është shpallur i hapur nga i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, i cili ka shprehur bindjen se ai do të rritet në vitet në vijim.

“Sigurisht që sonte po fillon rrugëtimin një festival tejet unik, në një qytet, po ashtu, unik qysh është Prizreni, jo pse në qytetin tonë mungojnë aktivitetet kulturore, mungojnë festivalet, por pa dyshim Festivali Ndërkombëtar i Teatrove do të jetë një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore viteve në vazhdim, për faktin se këtë festival e kanë filluar 2-3 aktorë, të cilët siç e tha Adriani, me të vërtetë ma kanë hangër shpirtin sa kam qenë ministër, por e kanë pasur një qëllim, që krijuesve dhe performuesve në Republikën e Kosovës me ju krijua kushte dhe përfundimisht krijuesit e performuesit me i ba të dinjitetshëm, dhe e kanë arritur”, ka thënë Gashi.

Pas fjalimeve, në skenë janë ngjitur aktorët e Teatrit Kombëtar të Sarajevës për ta shpalosur dramën “To nikad nigde nije bilo” (Kjo s’ka ngjarë askund asnjëherë) me regji të Dino Mustafiqit, bazuar në romanin “Istorija bolesti” (Historia e sëmundjes) të Tvrtko Kulenoviqit, që është përshtatur nga Darko Lukiq, i cili dramaturgjinë e ka bërë bashkë me Vedrana Bozhinoviqin.

Shfaqja flet për sëmundjen, përkatësisht për humbjen e botës dhe idealeve, dhe ndonëse është e vendosur në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, ajo krijon referenca edhe me të tashmen, meqë vë në pah dhimbjen për humbjen e më të dashurve.

Madje, sipas krijuesve të tij, shfaqja është si një proces bisede mes librit, skenës dhe publikut, ku ka përballje, kujtime, pyetje, dëshmi, me ç’rast shumë histori të vogla, private, përballen me histori të mëdha, kolektive, zyrtare. Ndërkaq herë pas here lojës së aktorëve u paraprijnë fotografitë e narracioni me zë me fragmente nga lufta e tmerri në Sarajevë, por dhe nga ngjarje e histori të tjera, që vihen në shërbim të shpalosjes së temës.

Aktori Slaven Vidak, i cili në këtë shfaqje luan Kulenoviqin, ka vlerësuar se në këtë mbrëmje ka ndodhur një magji, pasi artistët kanë ndier ndërveprimin e publikut me ta. Sipas tij, edhe pengesat teknike janë kapërcyer, duke mundësuar hapjen e shtegut për rrugëtimin e Festivalit të Teatrove në Prizren.

“Nuk është hera e parë për mua që luaj në ambient të hapur, por është hera e parë që e luaj këtë shfaqje në ambient të hapur. Më duhet të pranoj se ka pasur pak kakofoni teknike, por në thelb nuk ka ndonjë dallim, pasi për teatrin rëndësi kanë aktorët dhe publiku, që janë dy elemente themelore të tij, dhe kur kjo është e pranishme mund të ndodhë magjia. Kështu që pavarësisht telasheve teknike nuk kemi lejuar që kjo të na pengojë dhe më vjen mirë që e kemi hapur këtë festival, edicionin e tij të parë, dhe shpresoj që ky është vetëm fillimi i një tregimi të mirë ku do të ndodhin shumë gjëra pozitive, që do të përçojnë shumë porosi pozitive, jo vetëm në vitet në vijim, por do të thosha në dekadat në vijim”, ka deklaruar Vidak.

Në kuadër të edicionit të parë të “Prizrenfestit” do të paraqiten 9 shfaqje teatrale nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Turqia, Rumania dhe Italia, në ambiente të hapura.