Projekti i arkitektit shqiptar drejt çmimit prestigjioz të arkitekturës islame

Projekti i arkitektit shqiptar drejt çmimit prestigjioz të arkitekturës islame

Projekti i arkitektit Arbër Sadiki, për xhaminë e ndërtuar më 2015 në fshatin Tupallë të Medvegjës, ka hyrë në listë të ngushtë për çmimin më prestigjioz në botë për arkitekturën e objekteve të kultit islam. Në ciklin e katërt të çmimit “Abdullatif Al Fozan”, vepra e Sadikit bën pjesë në listën e 22 projekteve që janë duke u vlerësuar për këtë çmim. Sipas listës së publikuar, projektet janë konkretizuar në 17 shtete e 4 kontinente.

Juria e kryesuar nga arkitekti Rasem Badran (Jordani) dhe anëtarët: Emre Arolat (Turqi), Kashif Chowdhury (Bangladesh), Ahmed Mustafa, (Britani e Madhe) e Sari Hanafi (Francë) kanë vlerësuar në këtë cikël 200 xhami të ndërtuara në mbarë botën.

Projekti për xhami i Sadikit është vlerësuar për filozofinë që reflektohet në dizajn. Sipas vlerësimit veçohen midis të tjerash thjeshtësia që lidhet me modernizmin e shekullit 20 dhe dizajnin që mundëson dritën natyrale ta ndriçojë objektin. Juria ka vlerësuar se ndërtesa nuk është ngarkuar me shumë dizajn duke bërë që të nxirret në pah kompleksiteti i bukur i thjeshtësisë.

“Hapësira më e mirë për të reflektuar është ajo e hapura. Kur dikush lutet në ambient të jashtëm, mundësia e reflektimit është shumë e hapur. Por kur mund të arrihet që kjo ndjesi dhe ky reflektim të jenë të mundura në një hapësirë të brendshme në një mënyrë të thjeshtë, mendojmë se është e arritura e madhe që xhamitë në të ardhmen duhet të tentojnë ta bëjnë”, ka vlerësuar juria. Sipas tyre, Sadiki me projektin e tij e ka arritur këtë si në rrafshin e reflektimit shpirtëror po ashtu edhe në pikëpamjen arkitekturore duke bërë që me shpenzime të ulëta të ndërtohet një objekt ikonik.

Xhamia ka vetëm 84 metra katrorë dhe zë vend buzë një kodrine të veshur me vegjetacion. Komunikimi i besimtarëve me hapësirën e jashtme është shumë i madh.

Sadiki, i cili ka doktoruar në Universitetin e Beogradit, ka thënë se arkitekturën e kupton si shërbim ndaj një nevoje që ka dikush për diçka.

“Në këtë drejtim i gjithë fokusi im është për të përmbushur këtë kërkesë duke i dhënë përmbajtje shtesë kreative. Por, asnjëherë gjatë këtij procesi nuk më shkojnë ndërmend çmimet, rangimet dhe listimet. Mendoj se ato janë më të rëndësishme për ata që konsumojnë arkitekturë për ta pasur më të lehtë filtrimin se çka konsiderohet vlerë në arkitekturë sesa për autorin e veprës”, ka thënë Sadiki, i cili njëherësh është drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. Sipas tij, kjo arritje tregon se duhet dhënë hapësirë qasjeve të reja në arkitekturë.

“Në këtë drejtim uroj që përfshirja në listë të ngushtë e xhamisë modeste të Tupallës për një çmim kaq prestigjioz (ndoshta më prestigjiozi) në fushën e ndërtesave të kultit islam shpresoj të ndikojë që edhe në hapësirat shqiptare çdo ditë e më shumë t’u jepet hapësirë qasjes bashkëkohore të projektimit të këtyre ndërtesave dhe të ndërpritet reprodukimi i pakuptimtë i modeleve historike”, ka thënë Sadiki i cili, midis të tjerash, ishte i nominuar për çmimin “Aga Khan” e është edhe laureat i “Annual Prize for Scientific Work in the Field of Cultural Heritage”.

Sipas themelueseve, “The Abdullatif Al Fozan” synon të jepet për veprat që kanë raport të ngushtë me hapësirën, janë moderne sa u përket dizajnit e kreativitetit. Po ashtu vend të madh në vlerësim zë edhe të qenit miqësor me ambientin dhe kostoja jo e lartë ekonomike.

Sipas rregullave 22 projektet e përzgjedhura në listën e ngushtë duhet të shqyrtohen nga recensues teknikë me përvojë, në një proces për të përgatitur me raporte të plota dhe të detajuara arkitekturore, në mënyrë që t’i riparaqesin ato në detaje para jurisë ndërkombëtare gjatë takimit të ardhshëm në nëntor të këtij viti krahas Konferencës së 3-të Ndërkombëtare për Arkitekturën e Xhamive.

Çmimi “Abdullatif Al Fozan” për arkitekturën e xhamive është themeluar në vitin 2011 dhe synon aspektet arkitekturore, urbane dhe teknike të xhamive në të gjithë botën. Objektivi kryesor i këtij çmimi është zhvillimi i dizajnit bashkëkohor të xhamive, në një bazë të dhënash të specializuara dhe të klasifikuara.

“Për më tepër, ai inkurajon arkitektët të krijojnë dizajne të reja të xhamive në të cilat përfaqësojnë xhamitë në shekullin XXI. Në përgjithësi, çmimi siguron rëndësinë e arkitekturës së xhamisë së shekullit XX, e cila perceptoi dhe riprodhoi shpirtin e ideve tradicionale të xhamisë dhe e konceptuar mbi bashkëkohoren si një mesazh themelor”, shkruhet në ueb-sajtin e çmimit.