PSD-ja e shqetësuar për rritjen e çmimeve nga çerdhet private

PSD-ja e shqetësuar për rritjen e çmimeve nga çerdhet private – Lajmet e fundit



PSD-ja është shprehur e shqetësuar me paralajmërimet e çerdheve private për rritje të çmimeve.

Ata e kanë quajtur të papranueshme rritjen e çmimeve nga 100 në 130 euro, ndërsa kanë kërkuar hetimin e rritjes së këtyre çmimeve.

“Shumë çerdhe private kanë njoftuar se do ta rrisin çmimin nga 100 në 130 euro. Rritja e çmimit të çerdheve private duhet hetuar menjëherë. Këtë rritje, do të jenë të obliguar ta paguajnë prindërit. Por kjo ndikon edhe tek rishqyrtimi i dërgimit të fëmijëve në çerdhe, për shkak të pamundësisë financiare. Këtu preket edhe struktura e familjes, pasi që çdo prapakthim i forcon raportet tradicionale. Edhe ashtu numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe është vetëm 6.2%”, thuhet në reagimin e PSD-së.

Sipas tyre, kjo situatë, duhet ta vendos në nivel të urgjencës kombëtare ndërtimin e çerdheve publike.

“Në Kosovë janë vetëm 44 çerdhe publike. Ato nuk i përgjigjen nevojës që shoqëria ka për përfshirjen e fëmijëve në sistem edukimi dhe kujdesi, si dhe lirimin e prindërve nga kjo detyrë, si rol parësor. Qeveria në pushtet ka premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë këtij mandati. Këto përveç që janë pak, po duket se janë edhe të vonuara. Si do t’i ndërtojnë 160 çerdhe për dy vite e gjysmë?”, thuhet më tej në reagim.

Në fund PSD-ja ka kërkuar shtimin e objekteve për çerdhet publike dhe se edukimi nuk guxon t’i lohet në dorë privatit.

“Intervenimi në rritjen e çmimit të çerdheve private duhet të jetë i menjëhershëm. Paralelisht me këtë, përmes ndërtimit të objekteve të reja, do të pushonte nevoja për çerdhe private, të cilat sot janë e vetmja alternativë. Edukimi i fëmijëve nuk guxon t’i lihet në dorë privatit”, thotë PSD-ja. /Zëri