Pse po vonon nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Pse po vonon nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së? – Lajmet e fundit



Vonesat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (ZPS) sa i përket nxjerrjes së materialeve shfajësuese, por edhe redaktimet e shumta në aktakuzë dhe dëshmitë e dëshmitarëve janë duke i penguar hetimet e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë Gregroy Kehoe, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi, si ish-udhëheqës i UÇK-së, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit 2020.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa datë për nisjen e gjykimit të tyre nuk ka.

Kehoe thotë se procesi i nxjerrjes së materialeve shfajësuese, për të cilin mbrojtja disa herë ka kërkuar që të përshpejtohet, është përmirësuar.

Nxjerrja e këtyre materialeve parashihet në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.

Këto materiale që Prokuroria ia jep mbrojtjes gjatë procesit të nxjerrjes së provave, sugjerojnë pafajësinë apo lehtësojnë fajësinë e të akuzuarve. Këto lloje provash, po ashtu, ndikojnë në besueshmërinë e dëshmive që posedon ZPS-ja.

Kehoe thotë se vonesat e nxjerrjes së materialeve shfajësuese kanë ndikuar në vendimet e gjykatës për moslirimin e të akuzuarve nga paraburgimi.

Sipas tij, mbrojtja, përmes procesit të nxjerrjes së materialeve të ZPS-së, së fundmi, ka pranuar dëshmi shfajësuese, që do të kishin mundur të ndikonin në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarve gjatë procedurës para-gjyqësore.

“Pyetja që kam ngritur para gjykatësit në konferencat statusore, ka qenë: A do të kishe dashur t’i shihje këto dëshmi të dëshmitarëve apo të kishe dijeni për këto informacione, kur merrje vendim për moslirimin nga paraburgimi? Patjetër që po, ky do të ishte reagimi i pritshëm. Pra, a jemi dëmtuar nga kjo? Patjetër që po”, thotë Kehoe.

Kehoe thotë se, në bazë të procedurave të Dhomave të Specializuara – që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale – materialet shfajësuese duhet të nxirren menjëherë nga ZPS-ja dhe t’i ofrohen mbrojtjes, por kështu nuk mendon Nevenka Tromp.

Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet ta përqendrojë të gjithë energjinë që gjykimi të nisë sa më shpejt, pasi, sipas saj, materialet shfajësuese mund të nxirren nga Prokuroria edhe gjatë gjykimit.

“Nuk mendoj se është realiste dhe e imagjinueshme që në një mega-projekt, Prokuroria mund t’i dorëzojë të gjitha materialet shfajësuese, posaçërisht para se të nisë gjykimi. Mbrojtja duhet të marrë parasysh se një sasi e madhe [e materialeve] që Prokuroria ka mbledhur, do t’i jepet gjatë gjykimit”, thotë Tromp.

Redaktimi i informacioneve për dëshmitarët

Pengesë tjetër, me të cilën po përballet mbrojtja, thotë Kehoe, janë edhe redaktimet e shumta si në aktakuzë, ashtu edhe në dëshmitë e dëshmitarëve që ka pranuar nga ZPS-ja.

Sipas tij, janë 60 dëshmitarë që nuk u zbulohet identiteti. Disave prej tyre do t’iu zbulohet identiteti 30 ditë para nisjes së gjykimit, e disa të tjerëve 30 ditë para dëshmisë së tyre pranë Dhomave të Specializuara. Dhe, thotë Kehoe, mund të duhen vite kohë që ata të japin dëshmitë e tyre.

“… teksa shkojmë drejt gjykimit, ne nuk do të dimë se çfarë çështjesh ka Prokuroria derisa këta persona të dëshmojnë. Dhe, për më tepër, dy persona aktualisht nuk mund të identifikohen fare. Pyetja retorike është kjo: si mund ta hetojmë plotësisht këtë çështje, me qëllim që t’i mbrojmë klientët tanë? Nën këto rrethana, kjo është jashtëzakonisht e vështirë”, thotë Kehoe.

Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dëshiruan t’i komentojnë deklaratat e mbrojtjes sa i përket nxjerrjes së materialeve. Por, zëdhënësi Christopher Bennett, tha përmes një deklarate me shkrim për REL-in se ZPS-ja nxjerr pako të shumta me materiale. Ai tha se vetëm më 24 mars të këtij viti, mbrojtjes i janë dorëzuar 19 paketa me materiale, me mbi 8 mijë artikuj, sipas rregullit 102. Ky rregull përfshin deklaratat e dëshmitarëve që Prokuroria synon t’i thërrasë në gjykim, por edhe deponime të tjera të dëshmitarëve që ZPS-ja do t’i paraqesë gjatë gjykimit.

Ben Emmerson, avokat i Veselit, gjatë konferencës statusore të mbajtur më 20 maj, ngriti çështjen e bashkëpunimit të mundshëm midis ZPS-së dhe autoriteteve serbe.

Ai tha se gjatë gjykimeve në Tribunalin e Hagës, zyrtarë të shërbimeve të inteligjencës serbe, përfshirë, siç tha ai, edhe ata përgjegjës për Kosovën, kanë nxitur persona të japin dëshmi të rreme.

Shqetësim për bashkëpunimin mes ZPS-së dhe Serbisë ka edhe Kehoe. Ai thotë se gjatë Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, ka pasur raste kur organet shtetërore serbe kanë fabrikuar të dhëna, apo kanë shtyrë përpara dëshmi të rreme.

Prandaj, shton Kehoe, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së tani po kërkon nga Prokuroria që të dijë burimin e materialeve, por edhe nga cilat organe shtetërore serbe janë marrë ato.

“Ne do të mund të hetonim gjenezën e atyre informacioneve dhe nëse bëjmë lidhjen e tyre me informacionet e tjera që vijnë nga shërbimet e inteligjencës serbe dhe nga divizioni i Serbisë për krime lufte, mendoj se gjykata mund të vijë në përfundimin logjik se informacionet e marra nga organet shtetërore serbe, duhet të trajtohen me shumë kujdes, duke pasur parasysh historinë e tyre të krijimit të qëllimshëm të informacioneve të rreme, jo vetëm ndaj mediave, por edhe ndaj gjykatave – të paktën në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi”, thotë mbrojtësi i Thaçit.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU