Pse u demoralizua herët në jetë Melihate Ajeti?

Pse u demoralizua herët në jetë Melihate Ajeti?

Nëse përmendim një aktore shqiptare e cila në jetë pati edhe rolin që u shkrua enkas për të, e luajti në një shfaqje për 13-të vite me radhë për ta përsëritur, nuk shkruhet emër tjetër pos ai i Melihate Ajetit.

Aktorja e njohur e shqiptarëve, aktorja e laureuar me çmimin më të madh të Kosovës me rolin e Margaret Goties, aktorja e roleve të mbretëreshës dhe aktorja që u largua nga skena pa ndonjë lamtumirë e pa bujë, sot kujtohet më pak prej gjeneratave të reja.

Melihate Ajeti, e lindur në Prishtinë, u martua shumë e re me Muharrem Qenën.

“Atë ditë, me 17 shtator 1953, mëhallën tonë e pushtoi jehona e këngës. Meli po bëhej nuse, veçse nuk ishte i pranishëm i ati, Shaban Ajeti, për ta përcjellë të bijën. Vajza Antigona Qena është i vetmi fëmijë i këtij çifti” shkruan Sanije Gashi në një libër ku është përfshirë edhe primadona e teatrit në Kosovë.

Ndarja prej Muharremit ndodhë pas 14-të vitesh. Nuk e botoi kurrë librin e kujtimeve, ku tregoi për rolet e saj të mëdha, për dhomën e saj të vetmuar ku ndoshta do të duhej të kishte më shumë njerëz.
Meli, megjithatë nuk pranoi kurrë më shumë se kaq. Luajti në “Hamleti” ,”Erveheja”, “Antigona”, “Makbethi”, “Besa”, e “Sikur të isha djalë”, mes tjerash. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë iu nda në vitin 1971 ndërsa në vitin 1963 morri çmimin e madh të Kosovës – Shpërblimin e Dhjetorit.

“Jam demoralizuar shumë herët në jetë. Pse të ketë urrejtje, xhelozi, lakmi, pse luftëra, vrasje, tortura, robëri? Pse të vdesin familjarë, atdhetarë, pse të zhduken dijetarë, shkencëtarë? Pra, jeta është një pyetje e madhe: përse vdekja” thotë Melihate Ajeti për Sanije Gashin në librin e grave që dhanë kontributin e tyre ndër shqiptarë në fusha të ndryshme të artit.

Rreth 200 role teatrore, mijëra faqe të Ervehesë që si shfaqje qëndroi 13-të vite në repertori, “Vajza pa pajë” me Istref Begolli, rolet në “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melin damën e parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com