Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës në mbledhjen e informatave dhe inteligjencës përmes përfshirjes së komunitetit

Publikohen emrat e shtatë të arrestuarve nga aksioni i sotëm “Brezovica” – Lajmet e fundit



Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka realizuar sot një aksion policor në gjithsej 11 lokacione, në Prishtinë, Podujevë e Fushë-Kosovë, me ç’rast janë arrestuar shtatë persona dhe janë sekuestruar disa materiale në cilësinë e provave.

Sinjali mëson ekskluzivisht se shtatë personat që janë arrestuar janë: Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani, Shukri Shabani, Bajram Gashani dhe Salih Sinani. Ndërsa i dyshuari i tetë, asamblisti i Vetëvendosjes Berat Lahu, është shpallur në kërkim policor, pasi i njëjti nuk është hasur ende.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Sami Sinani dhe Gani Berisha janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Prokuroria ka njoftuar se të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” , “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Mësohet se deri më tani janë duke u sekuestruar sende të luajtshme, si kompjuterë, laptopë, USB, telefona, para, armë dhe vetura në vlerë të konsiderueshme.