Puna që kushton me jetë

Puna që kushton me jetë – Lajmet e fundit



Valon Berisha, para tre vjetësh, ka humbur jetën në vendin e tij të punës në sektorin e ndërtimtarisë në Fushë Kosovë.

Valoni, që në atë kohë ishte 29 vjeç, la pas gruan dhe dy fëmijë, tregon për Radion Evropa e Lirë vëllai i Valonit, Ramadan Berisha.

Berisha tregon se Valoni kishte të përfunduar Fakultetin e Shkencave Sportive, kurse ishte duke vazhduar studimet master në njërin nga kolegjet private në Kosovë.

Në mungesë të gjetjes se një vendi tjetër të punës, thotë ai, Valoni ishte detyruar të punojë në sektorin e ndërtimtarisë.

“Kushte të mira të punës nuk kanë pasur si të gjitha kompanitë tjera, por nuk është ankuar, sepse të gjithë punëtorët kanë punuar njëjtë”, tha Berisha.

Humbja e jetës se Valonit nuk mund të kompensohet, thotë Berisha. Megjithatë, kompania në të cilën ka punuar Valoni, për të lehtësuar jetën e familjes se tij, në formë kompensimi gruas dhe fëmijëve të tij (3 dhe 4 vjeç) i ka dhënë një banesë në Fushë Kosovë dhe një ndihmë financiare 150 euro në muaj derisa fëmija i vogël të mbushë 18 vjeç.

“Fajin kryesor e ka edhe shteti, jo vetëm kompania. Shteti i lejon kompanitë private të punojnë pa pajisje mbrojtëse dhe kompania punon pa to, pasi është më lirë. Sepse më vendos skele, mjete mbrojtëse, rrethoja kushton më shtrenjtë për kompaninë”, tha Berisha.

Përveç Valonit, sipas Inspektoratit të Punës, në pesë vitet e fundit (2016-2020), 74 qytetarë kanë humbur jetën, kurse 530 janë lënduar në vendet e tyre të punës.

Numri më i madh i vdekjeve në vendin e punës gjatë kësaj periudhe, sipas Inspektoratit të Punës ka ndodhur në vitin 2018, me 23 raste, kurse vitin e kaluar 11 persona kanë humbur jetën gjatë orarit të punës.

Kurse, një punëtor, më 4 prill 2021, ka humbur jetën në vendin e punës në Prishtinë, ndërsa një tjetër po ashtu në vendin e punës është lënduar më 06 prill, që të dytë në sektorin e ndërtimtarisë.

Edhe fëmijë të lënduar në vendin e punës

Në Raportin e Punës për vitin 2020 të publikuar nga Inspektorati i Punës, thuhet se gjatë vitit të kaluar, katër fëmijë kanë pësuar aksidente në vendet e tyre të punës.

“Njëri nga ta ka pësuar aksident me pasoja të pariparueshme, i ka humbur dy gishta të dorës, në cilindrin e makinës për përpunimin e qeseve të najlonit; njëri ka prerë dorën e djathtë deri sa ishte duke e pastruar shiritin transportues nga mbetjet e betonit teksa ai ishte në lëvizje; një fëmijë nën moshën 13 vjeçe duke luajtur në afërsi të vendit ku kryheshin punime në vendosjen e rrethojave në oborrin e shkollës, ka pësuar lëndime të rënda nga goditja që mori prej rrëzimit të një pjese të rrethojës dhe një tjetër i punësuar nën moshën 18 vjeç, ka pësuar aksident në vendin e punës nga flaka e sistemit të saldimit.”

Ndërtimtaria, sektor i rrezikshëm

Ndërtimtaria, sipas organizatave që mbikëqyrin punën në këtë fushë, po vlerësohet si sektori më i rrezikshëm për punë, pasi vetëm vitin e kaluar, në këtë punë kanë ndodhur 30 aksidente (vdekje dhe lëndime).

Gati të gjithë punëtorët në sektorin privat në Kosovë, punojnë pa sigurim shëndetësor dhe pa sigurim jetësor.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdni, tha se mungesa e kulturës se mbajtjes së pajisjeve mbrojtëse të punës, është shkaku kryesor i vdekjeve të punëtorëve. Ajdini për këtë fajëson edhe kompanitë private por edhe punëtorët që hezitojnë t’i përdorin pajisjet mbrojtëse.

“Ne kemi mbajtur trajnime për të vetëdijesuar punëtorët që pa mjete mbrojtëse, mos të pranojnë detyrën fare, që mos të rrezikojnë jetën. Puna më e rrezikshme është ndërtimtaria, dhe duhet të ketë shumë kujdes. Unë kërkoj nga Inspektorati i Punës që prioritet për inspektime, kontrolla të shpeshta të ketë në sektorin e ndërtimtarisë. Sepse vdekjet e punëtorëve që po ndodhin shpesh, nuk mund të kompensohen”, tha Ajdini.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU