Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau çmimet e projektit 'Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë'

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau çmimet e projektit ‘Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë’

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.

Juria, e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj, kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi, ku morën pjesë 20 dorëshkrime.

Veprat fituese, që do të financohen nga QKLL-ja, janë: Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Motivacioni: Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët.

Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Motivacioni: Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive.

Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Motivacioni: Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve. / KultPlus.com