Qeveria e Kosovës sqaron masat në kufi: “Situata ende e rrezikshme, nuk mund të lejojmë një shpërthim të ri”

Qeveria e Kosovës sqaron masat në kufi: “Situata ende e rrezikshme, nuk mund të lejojmë një shpërthim të ri”

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka bërë një deklaratë zyrtare për të sqaruar të gjitha vendimet e marra në kontrollet e pikave kufitare mbi qytetarët që hyjnë në vend.

Prej 1 qershorit kur qeveria shqiptare mori vendimin për hapjen e kufirit, pala kosovare ka rënë në dakordësi, por duke shtuar se për tu treguar të kujdesshëm gjatë situatës pandemike ka prezantuar edhe disa masa, ‘në mënyrë që të tregohen të kujdesshëm mbi rikthimin e një vale të dytë infeksionesh’.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu i ka bërë thirrje aktorëve politikë e zyrtarë për të mos shpërndarë lajme të pavërteta ose të shtrembëruara mbi situatën. Sipas institucionit, gjendja epidemiologjike ende paraqitet e rrezikshme dhe prandaj kërkohet kontroll i shtuar, sepse e veçanta e Kosovës theksohet në deklaratë ‘është se nuk ka kapacitete shëndetësore për të përballuar një shpërthim epidemiologjik’.

Deklarata mbyllet me njoftimin se meqenëse pala shqiptare nuk mund të ndihmojë në staf mjekësor apo barna , kapacitetet shëndetësore të dyja vendeve nuk mund të rrezikojnë dhe përballojnë një valë të re shpërthimesh infeksioni.

REAGIMI I PLOTË I MSH

Së pari i ftojmë të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë si dhe zyrtarët politikë e shtetëror që të ndihmojnë në kapërcimin e situatave të vështira, para se të përhapin me qëllim apo nga mos informimi lajme të pavërteta ose të shtrëmbëruara lidhur me vendimin për hapjen e kufijve tokësor të Republikës së Kosovës.

Duke qenë se situata epidemiologjike ditët e fundit paraqitet me rritje të rasteve pozitive në Covid-19 dhe nuk është stabile, në disa komuna të Kosovës, kemi treguar një kujdes të shtuar në këtë fazë në lehtësimin e masave në të gjitha degët e ekonomisë, arsimit, sportit, etj., por edhe duke vënë në kontrollë mjekësore çdo person që hyn në territorin e Kosovës.

Me datë 31 maj morrëm vendimin që hyrja për këdo, shtetas ose jo të Kosovës prej 1 qershorit lejohet nga 6 pikëkalime kufitare. Kriteret për lejimin edhe të shtetasve të Kosovës edhe atyre të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë, apo shtetas të vendeve të tjera që duan të futen në Kosovë, janë që duhet të nënshkruajnë deklaratën për 7 ditë vetizolim në kushtet e shtëpisë së tyre apo aty ku do të qendrojnë.

Nga ky rregull përjashtohen ata/ato qytetarë pavarësisht nga shtetësia që kanë, të cilët me rekomandim të autoriteteve përkatëse i janë nënshtruar testit në katër ditët e fundit para të paraqitjes në kufi. Me që me siguri ka të tillë të cilët mund të kenë pasur raste kontakti, etj. dhe institucionet e vendit të tyre i kanë testuar tashmë.

Ky rekomandim ka ardhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Sepse, situata epidemiologjike në Kosovë dhe në vendet përreth nuk është pa rrezik. Në rekomandimin e fundit IKSHPK rekomandon që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e menaxhimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve, sepse e veçanta e Kosovës është se nuk ka kapacitete shëndetësore për të përballuar një shpërthim epidemiologjik.

Aq më tepër tani kur për tre muaj pa ndalur personeli i pamjaftueshëm që ka Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, është i mbingarkuar dhe padyshim që janë të stëmunduar. Për dijeninë e opinionit mbarë shqiptarë, veçanërisht të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, laboratori ynë ka shumë pak mjekë që kryejnë testimet dhe pak epidemiologë e mikrobiologë në këtë situatë të vështirë. Klinika jonë Infektive i ka 126 shtretër për rastet e prekura nga virusi.

Ne do të donim që këtë situatë të rëndë gjatë këtyre tre muajve të ishim edhe më afër njëri tjetrit edhe përmes ndihmave konkrete të institucioneve respektive nga dy shtetet, por për arsye objektive barnat, mjetet mbrojtëse, stafi mjekësor në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë qenë të pamjaftueshme që të presim më shumë ndihmë konkrete. Në këto kushte kur Republika e Shqipërisë po kalon po ashtu nëpër të njëjtat probleme dhe kur sistemi shëndetësor i ka këto probleme të rënda të trashëguara, nuk kemi rrugë tjetër përpos se me kujdes të madh të fillojmë nga hyrje daljet e kontrolluara dhe të monitoruara për çdo ditë.

Një shpërthim i ri epidemiologjik i ri në Kosovë do të ishte fatal për të gjithë sistemin dhe me aq sa patëm përvojë këta tre muaj është pak e pritshme që institucionet simotra të Shqipërisë do të mund të ndihmonin në këto kushte. Ndaj ftojmë për durim, mirëkuptim dhe solidaritet! Kemi kaluar më të vështirën, do ta kalojmë edhe këtë moment. Askush nuk duhet ta ndjejë si ndalim për të hyrë në Kosovë, por si kujdes i domosdoshëm ndaj situatës dhe kapaciteteve që i ka Republika e Kosovës.

SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.