Qeveria inicion procedurat për shpalljen muze të ish-burgut të Prishtinës

Qeveria inicion procedurat për shpalljen muze të ish-burgut të Prishtinës – Lajmet e fundit


Foto: Ilustrim


Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Programin e Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Planin e veprimit 2020-2022, dhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze.

Pas shqyrtimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 dhe Planit të veprimit 2020-2022, Qeveria mori vendim për miratim të këtij Programi.

“Vendimi obligon institucionet e Republikës së Kosovës për zbatim të këtij programi sipas aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit, ndërsa Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e obligon për monitorim të zbatimit dhe për raportim vjetor mbi zbatimin e programit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në njoftim thuhet se Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 e përkufizon barazinë gjinore si një të drejtë themelore dhe një nga faktorët e rëndësishëm për rritjen ekonomike, zhvillimin dhe stabilitetin në shoqëri. Barazia gjinore, sipas Qeverisë së Kosovës, është edhe një nga parimet fundamentale të të drejtave të përcaktuara në Kushtetutën e vendit.

Objektivi i përgjithshëm strategjik i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, siç thekson më tej Qeveria në njoftimin për media, është sigurimi i barazisë gjinore si një fokus i proceseve transformuese në të gjitha strukturat, institucionet, politikat, procedurat, praktikat dhe programet e qeverisë, agjencive, shoqërisë civile, sektorit privat dhe komunitetit të donatorëve.

Ky objektiv synohet të arrihet duke punuar në tri drejtime, në krijimin e mundësive të barabarta për të kontribuar dhe përfituar nga zhvillimi ekonomik, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i mirëqenies sociale, në avancimin e barazisë gjinore përmes arsimit cilësor, shëndetësisë cilësore, gjithëpërfshirjes dhe shfrytëzimit të kapaciteteve njerëzore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe zhdukjen e pabarazisë dhe stereotipeve gjinore dhe në avancimin e të drejtave për vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë ka shqyrtuar dhe miratuar edhe vendimin për shprehje të vullnetit dhe interesit që ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, në rrugën “Luan Haradinaj”, të shpallet muze.

“Me këtë vendim është obliguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që, në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Financave dhe Transfereve, dhe në pajtim me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Institucionet e Kulturës dhe me legjislacionin tjetër në fuqi, të zhvillojë të gjitha procedurat e nevojshme dhe t’i propozojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës themelimin e këtij Muzeu”, ka përfunduar njoftimi i Qeverisë.ë