Qeveria ndan 20 mln € për ndërmarrjet publike që u prekën nga situata me COVID-19

Qeveria ndan 20 mln € për ndërmarrjet publike që u prekën nga situata me COVID-19 – Lajmet e fundit



Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Pakos Emergjente, përmes së cilit ndryshim, ndërmarrjeve publike të cilat po përballen me vështirësi financiare në kohë pandemie u janë ndarë 20 milionë euro subvencionim.

Këto mjete, sipas njoftimit për media të zyrës së Kryeministrit, ndahen për subvencionimin e ndërmarrjeve publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga emergjenca e shëndetit publik dhe me qëllim të sigurimit të likuiditetit të tyre.

“Këto subvencione mund të kushtëzohen me reduktimin e ndarjeve buxhetore për vitin aktual dhe për vitet në vijim për ndërmarrjet publike”, ka thënë qeveria në njoftim.

Po ashtu, është ndryshuar dhe plotësuar edhe vendimi tjetër i Qeverisë për emërimin e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Me propozimin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës, është vendosur që anëtar i këtij këshilli nga ky fakultet, në vend të Arben Mehmetit të jetë Imer Rusinovci”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024.