Qeveria: Në dhjetë ditët e fundit kemi katërfish me shumë të shëruar se raste të reja me Covid-19

Qeveria: Në dhjetë ditët e fundit kemi katërfish me shumë të shëruar se raste të reja me Covid-19 – Lajmet e fundit



Zyrtari për media në Zyrën e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Perparim Kryeziu i ka komentuar rezultatet e pubikuara nga IKSHPK duke thënë se në dhjetë ditët e fundit janë shëruar 340 pacientë dhe vetëm 80 raste brenda këtyre ditëve janë raste të reja, transmeton “Zeri.info”.

Po ashtu Kryeziu ka shtuar se në këto dhjetë ditët e fundit kemi katërfish më shumë të shëruar sesa raste të reja të infektimit me koronavirus.

“Në dhjetë ditët e fundit kemi katërfish më shumë të shëruar sesa raste të reja të infektimit me COVID-19. Përkatësisht 340 raste të shëruara dhe vetëm 80 raste të reja. Tashmë, numri i të shëruarëve ka tejkaluar numrin e rasteve active”, ka thënë ai.

Gjithashtu ai ka vlerësuar punën e mjekëve si dhe të qytetarëve rreth respektimit të vendimeve dhe masave për parandalimin e këtij virusi.

“Ajo është rezultat i veprimeve të hershme dhe të duhura të Qeverisë së Republikës së Kosovës, rekomandimeve të IKSHPK-së, si dhe punës së palodhshme të mjekëve dhe infermierëve. Padyshim që të gjitha këto nuk do të peshonin aq rëndë po mos të ishte vetëdija e lartë e treguar nga qytetarët e vendit në respektimin e vendimeve, masave dhe udhëzimeve për parandalimin dhe menaxhimin e COVID-19”, ka shkruar Kryeziu në facebook.

Kryeziu ka deklaruar se vëmendja dhe kujdesi edhe pas këtyre shifrave duhet të jetë i njëjtë nga të gjithë kështu që mos rritet numri i viktimave.

“Lehtësimi i masave nuk duhet të na lehtësojë përgjegjësinë dhe përqendrimin në faktin se virusi nuk ka kaluar ende. Derisa i gëzohemi uljes së numrit të rasteve aktive të të infektuarëve dhe rritjes së numrit të të shëruarëve, ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin me familjarët dhe më të afërmit e viktimave të deritanishme. Le të punojmë dhe urojmë që numri i viktimave të mos rritet, le të angazhohemi që numri i të infektuarëve po ashtu të mos rritet, dhe le të kujdesemi që numri i të shëruarëve të shtohet çdo ditë shumëfish”, ka përfunduar Kryeziu./Zëri/