Qeveria paralajmëron masa më të rrepta të kufizimit të lëvizjes

Qeveria paralajmëron masa më të rrepta të kufizimit të lëvizjes – Lajmet e fundit



Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk i përjashtojnë masat më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Kjo u tha në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me koronavirus, në të cilin u diskutua për gjendjen e rëndë të krijuar si pasojë e pandemisë dhe veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet e vendit për menaxhimin dhe parandalimin e saj.

“Meqenëse ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar së tepërmi, madje duke pasur pasoja të rënda edhe me jetë njerëzish, nga diskutimet e pjesëmarrësve doli se Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk mund ta përjashtojnë as marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”, thuhet në njoftimin për media nga zyra për informim e qeverisë.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka prezantuar hapat konkretë që ministria që ai drejton ka ndërmarrë këto ditë për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19, ndërsa drejtuesit e institucioneve shëndetësore të vendit kanë raportuar për gjendjen e të prekurve, duke paraqitur të dhënat e përditësuara për numrin e të infektuarve, si dhe të përpjekjeve që po bëjnë mjekët dhe infermierët tanë për t’u ndihmuar pacientëve për ta përballuar me sukses sëmundjen.

Përveç përkushtimit të plotë të personelit shëndetësor, që është në vijën e parë të frontit në betejën kundër pandemisë COVID -19, në këtë takim u kërkua sërish që të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm, të mbajnë largësinë fizike, t’i bartin maskat mbrojtëse dhe ta mbajnë higjienën personale, sepse këto janë mjetet më efikase për t’u mbrojtur nga ky infeksion i rrezikshëm.

Kryeministri Avdullah Hoti, po ashtu, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të vendit, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, t’i bashkërendojnë veprimet e tyre, në mënyrë që qytetarët të informohen për masat mbrojtëse të parapara me vendimet e Qeverisë se Republikës së Kosovës, si dhe me udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Edhe në këtë takim, kryeministri theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndërhyrë kudo që ka nevojë me pajisje teknike, qoftë me shtimin e numrit të personelit shëndetësor, në mënyrë që pacientëve të shtrirë në spitalet e Kosovës t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme profesional dhe kujdesi human për të cilin ata kanë nevojë.