Qosja dhe Kadare, dy shkrimtarët që cilësuan Ukshin Hotin si qëndresë e pamposhtur shqiptare

Qosja dhe Kadare, dy shkrimtarët që cilësuan Ukshin Hotin si qëndresë e pamposhtur shqiptare

Ukshin Hoti, njëri nga figurat më të fuqishme të rezistencës në vitet më të vështira për Kosovën, tani ka mbetur një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Sot në ditën e lindjes së intelektualit dhe veprimtarit më të shquar kosovar, KultPlus ju sjell dy thënie dedikuar Hotit nga shkrimtarët e njohur: Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare.

Rexhep Qosja: “Ukshin Hoti – ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij.”

Ismail Kadare: “Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme.” / KultPlus.com