Qytetarët të pakënaqur me kushtet në pishinën e Gërmisë

Qytetarët të pakënaqur me kushtet në pishinën e Gërmisë – Lajmet e fundit

Foto: Laura Hasani


Image

Temperatura deri në 36 gradë celsius e kanë përfshirë vendin tonë ditëve të fundit, e ngjashëm pritet të jetë edhe ditëve në vijim, raporton Zeri.info.

Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë t’ia mësyjnë pishinës së Gërmisë në kryeqytet, pishinë kjo që është hapur nga e shtuna që e lamë pas.

70-vjeçarja nga Prishtina, Zana Tahiri ka thënë për “Zërin” se është mjaft e kënaqur me kushtet që ofron kjo pishinë.

Zana thotë se e frekuenton shpesh pishinën e Gërmisë, teksa shton se edhe këtë verë do të vijë çdo ditë.

“E frekuentoj shpesh pishinën e Gërmisë. Tash pandemia na mori në qafë, vjet nuk kemi mujt, na u dok që kumedit çka, e sivjet nuk e kemi njet me lshu asnjë ditë, nonstop qetu me ardh, këtu afër e kam banesën, ku me shku ma mirë? S’ki ku shkon ma mirë, e knaqun jom. S’kemi ku me shku ma mirë. Çmimet kanë qenë njëjtë, si vjet, me mujt pak me liru edhe ma mirë ish bo po kur s’ka ma mirë edhe qeshtu bon”, ka thënë 70-vjeçarja.

Ajo shton se uji është i pastër, por thotë se nuk do t’i bënte keq nëse do të rregullohej edhe pak.

“Uji bon, është i pastër. Gjithë ky kallabllak, tepër që s’bohet uji i papastër. Çuditna, bile thom kaniher shumë mirë është, por inshallah e rregullojnë pak ujin, veç mirë është prapëseprapë. Ki gjelbërim, ki kah të dush me u en. Veç me ec rreth pishinës ia vlen”, u shpreh ajo.

Por të kundërtën po e thotë qytetari Gazmend Krasniqi. Sipas tij, uji në pishinë është i papastër.

“Shumë i papastër uji. Çmimet janë normale, por të kishte qenë më pastër, edhe më mirë do të ishte për fëmijë”, tha Krasniqi për “Zërin”.

E për Lumnije Krasniqin, çmimet është dashur të jenë më lirë. Ajo thotë se ka ndryshime krahasuar me vitin e kaluar.

“Sot është hera e parë që kam ardhur, hyrja ishte 2 euro, ndërsa për vikende ish 3 euro. Mirë po kaloj, çmimi nuk është bash real për shkak se ka qenë pandemia edhe është dashur pak ma lirë. Po ashtu janë shtrejtu edhe çadrat. Kanë qenë 50 cent tash është ba 1 euro një çadër”, ka thënë ajo.

Edhe qytetari tjetër Hamdi Berisha ka treguar për ‘Zërin” pakënaqësitë që ka nga pishina e Gërmisë.

“Niher per niher mirë është, të gjitha i ka, ma vonë mundet me kan edhe ma mirë. Po është pastër, po jo aq se ky uji i verdhë e ka mbulu. Çmimet janë mirë. Ujë për me pi nuk ka këtu”, ka thënë Berisha.

Në anën tjetër, shefi ekzekutiv i Bordit të pishinës së Gërmisë, Liridon Llapashtica, ka thënë se nuk ka rritje të çmimeve. Kjo sipas tij, është bërë që të gjitha shtresat e qytetarëve të mos privohen nga hyrja në pishinë.

“Këto çmime janë tash e një dekadë, pra 2 euro për të rritur dhe 1 euro për personat minorë, dhe nën moshën 1 vjeçare është pa pagesë. Këtë vit ne kemi me vazhdu me çmimet e njëjta, do të thotë Bordi ka vendos ashtu, por edhe unë që jam shef ekzekutiv i Bordit, kemi vendos që të shkojmë me çmime si të viteve të kaluara, mos të ketë rritje të çmimeve për arsye që të mos i privojmë të gjitha shtresat e qytetarëve të Prishtinës që të vijnë dhe freskohen në pishinë. Ndërmarrja e ka një çmimore, që në vikend për moshat madhore është 3 euro, të shtunën dhe dielën. E dimë që është kohë pandemie edhe secili xhep i qytetarit është rëndu edhe për atë arsye ne kemi vendos këto çmime me shku prapë. Janë minimale, janë çmimet më të lira. Besoj është i përballueshëm për të gjithë qyetarët e Prishtinës edhe për të gjitha shtresat”, ka thënë Llapashtica për “Zërin”.

Tutje ai shtoi se sa i përket çmimit të çadrave, është punë e operatorit brenda.

“Çadrën e ka operatori brenda, dhe ai i jep çadrat. Nuk varet prej ndërrmarjes. Nuk e di për çadër, është operatori brenda”, është shprehur Llapashtica.

I pyetur edhe se sa po frekuentohet kjo pishinë, Llapashtica ka thënë se pas një periudhe një apo dy javore do të kenë shifrat në dispozicion.

“Jo nuk kemi ndonjë shifër, të shtunën e kemi hapur dhe zakonisht pas një periudhe një javë ose dy javë shohim sa është numri që e frekuentojnë pishinën”, theksoi Llapashtica.

Pishina e Gërmisë ka hapur dyert më 19 qershor. Kujtojmë se vitin e kaluar kjo pishinë ishte hapur me një muaj vonesë për shkak të pandemisë, ndërsa edhe numri i personave të lejuar brenda saj ishte i limituar. /Zëri

Image

Image

Image