Rama dhe Shalsi bashkëbisedim me sipërmarrësit e rinj: “20 miliardë euro fonde nga BE. Të fokusohemi të thithim sa më shumë”

Rama dhe Shalsi bashkëbisedim me sipërmarrësit e rinj: “20 miliardë euro fonde nga BE. Të fokusohemi të thithim sa më shumë”

Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Shtetin dhe Sipërmarrjen, Eduard Shalsi kanë zhvilluar një bashkëbisedim me sipërmarrës të rinj që kanë hedhur fokusin e tyre drejt bizneseve dixhitale, si dhe po shfrytëzojnë maksimalisht nevojat e paraqitura nga pandemia për të gjitha shërbimet tashmë të transformuara në rrjet.

Kryeministri e ka nisur bisedën duke shpjeguar masat e marra nga qeveria në sektorin e digjitalizimit, ku një prej tyre është miratimi i ligjit për monedhën digjitale, ku tha se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka kaluar në parlament një legjislacion të plotë për të rregulluar aktivitetin e kësaj monedhe.

“Për shkak të pozicionit ku jemi na jepet të bëjmë kapërcime të mëdha në këtë fushë. Kjo fushë i jep mundësi atyre që janë më mbrapa të bëjnë kapërcime, ku në kohë tjetër do të ishin të pamundura.

Duke kaluar nga një makinë shkrimi normale, në një makinë shkrimi më të përparuar, sot me kapacitetet e teknologjisë bën kapërcime epokale. E bëra këtë parantezë për të thënë që për të shfrytëzuar shansin e kohës, jemi i pari vend që kemi kaluar në parlament një legjislacion të plotë për të rregulluar të gjithë aktivitetin e monedhës digjitale. Kjo nuk lidhet drejtpërdrejtë me pagesat digjitale. E thash këtë që jemi shumë të vëmendshëm në këtë drejtim dhe kemi shkuar lart në këtë legjislacion që është parë me interes nga shtetet të tjera.”

Kryeministri ka vijuar edhe më tej duke shpjeguar se Bashkimi Europian ofron momentalisht shumë fonde dhe se Shqipëria me organizim dhe eficencë mund të arrijë të thithë shumë prej tyre. Në këtë mënyrë, sipas shefit të qeverisë sipërmarrësit duhet të fokusohen dhe të përfitojnë në interes të tyre. Një shembull shumë të mirë për thithjen e këtyre fondeve kryeministri ka përmendur sektorin e bujqësisë ku nëpërmjet AZHBR-së është bërë nëj punë e mrekullueshme sipas tij dhe që përcakton një të ardhme edhe për fushën e digjitalizimit:

“Përpara disa vitesh kemi qenë vendi i fundit në rajon për kapacitetin përthithësh të fondeve të BE për fondet e bujqësisë, sot jemi të parët. Pse? Nuk kemi bërë asnjë çudi, thjesht kemi mësuar, kuptuar, përmes AZHBR-së si mjet kanalizues për ti ardhur në ndihmë sipërmarrësve në bujqësi dhe faktikisht për të qenë përfituesit e parë. Edhe në këtë fushë duhet të shkojmë në këtë drejtim. Ju jeni ata të cilët mbase mund të bëheni pionierë të çarjes së kësaj rruge duke dhënë shembuj për të tjerët. Duke qenë subjekte që i jeni drejtuar forcës së ideve, juve e keni këtë kulturë. BE ka miratuar një program, plan shumë ambicioz investimesh për Ballkanin Perëndimor. Një plan me një shifër 20 miliardë euro, në tre shtylla, infrastrukturën, ndërlidhjen, rrugët, portet, me të gjitha ato akse që janë të rëndësishëm jo vetëm për një vend por edhe ata rreth e rrotull. Së dyti energjinë dhe se treti digjitalizimin. Tek kjo e fundit bëhet fjalë për të bërë atë gjë që thash më parë, të mësojmë, organizojmë dhe të veprojmë më shumë për interesat tona. Kjo është shumë e rëndësishme në sensin e përfshirjes së drejtpërdrejt. Një bashkëpunim që duhet forcuar me institucionet.”

Ndërsa, ministri për Shtetin dhe Sipërmarrjen Eduard Shalsi deklaroi se qeveria shqiptare ka parashikuar lehtësi për biznesin online.

Nëse më parë nuk kishim kuadër ligjor që rregullonte fushën e start up-eve, sot e kemi. Start up-et mund të regjistrohen shumë lehtë tani e tutje. Start up Albania është kompozuar në mënyrë të tillë.

Ligji parashtron shumë lehtësi në taksa. Edhe taksat e tabelës kemi menduar se nuk duhet q ëtë aplikohen. Duam të ndjekim modelin e Izraelit dhe të Lituanisë. Kemi siguruar garanci mbi riskun”, tha mes tjerash Shalsi.

Geri Kolgega / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.