Ramush Haradinaj: O kryeministër, o s'bëhet!

Ramush Haradinaj: O kryeministër, o s’bëhet!

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka përgënjeshtruar raportimet se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit, në një koalicion eventual me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai ka mohuar se ka folur për diçka të tillë me kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e tij të mëhershëm, se e do udhëheqjen e qeverisë, shkruan Express.

“Që të mos përsëritet, ne e kemi dhënë një ofertë dhe po punojmë që ajo të ndodhë. Ju e keni në kujtesën tuaj, se cilën ofertë e kemi dhënë. Në rast se ajo ndodh, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi. Në rast se jo, kemi thënë se përgjegjësitë që i kemi në jetën politike do t’i marrim me kujdes duke e ruajtur vendin dhe duke punuar që proceset të shkojnë me sukses”, tha Haradinaj pas vizitës që ia bëri familjes së dëshmorit Zahir Pajaziti në fshatin Turuqicë.

Oferta e Haradinajt për koalicion me PDK-në është posti i kryeministrit, mirëpo disa zyrtarë të PDK’së tashmë janë deklaruar se e kanë kryeministrin, e që është Hashim Thaçi.