Von Cramon: Pas Kushteueses është radha e Hotit të formojë qeverinë

Raportuesja për Kosovën në PE dënon “presionin ndaj deputetëve të Kosovës” – Lajmet e fundit



Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka mirëpritur votimin e Qeverisë së re të Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Në një deklaratë për media, ajo ka thënë se shpreson që qeveria e re të mund të zbatojë reforma të reja dhe të “punojë për një Kosovë më të mirë”.

Megjithatë, Cramon-Taubadel ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin “nën presion të madh” nga lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe presidenti Hashim Thaçi për të votuar pro qeverisë së re.

“Disa burime kanë thënë se presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka vizituar personalisht këta deputetë të kuvendit, pa votat e të cilëve nuk do të mund të zgjidhej qeveria. Nëse këto pretendime janë të vërteta, ky është një sinjal i keq që tregon se roli i parlamentit është minuar, e që një gjë e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutë. Si një pjesëtare e parlamentit, për mua është e papranueshme që anëtarëve të parlamentit, të zgjedhur në mënyrë demokratike, t’iu bëhet presion”, tha ajo, duke shtuar se është bazë e demokracisë që deputetët të votojnë në bazë të vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua për qeverinë e re, ishte deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala që deklaroi se ai kishte ndryshuar mendimin për ta votuar qeverinë, pasi një natë më parë ishte takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për ka votuar Qeverinë Hoti dhe vota e deputetit Shala po shihet si vendimtare për formimin e ekzekutivit të ri./REL/