Reagojnë nga PDK-ja: Janë joetike diskutimet për postin e presidentit

Reagojnë nga PDK-ja: Janë joetike diskutimet për postin e presidentit – Lajmet e fundit



Sot Këshilli Drejtues i partisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka nominuar kreun e kësaj partie për president të vendit.

Për këtë kane ardhur reagime nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës. Përveç anëtarit të Këshillit Drejtues të kësaj partie i cili thumboi AAK-në edhe deputeti i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se diskutimi për postin e presidentit të shtetit, duke e pas me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, transmeton Zeri.info

“Çfarëdo diskutimi për postin e Presidentit të shtetit, duke e pasë Presidentin me mandat të plotë dhe në detyrë për së paku edhe 7 muaj, është joetik, thënë më së buti. Aq më shumë, nëse pjesë e këtyre planeve është edhe çështja e akuzave potenciale nga Dhomat e Specializuara”, tha ai në një postim në “Facebook”.

Ai ka folur edhe për koalcionin për të cilën tha se PDK-ja ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe se asgjë nuk ka ndryshuar.

“Kërkesa e jonë për koalicionin qeverisës është që të merren më pak me fjalë e më shumë me punë, sepse deri tash s’kanë qenë në gjendje ta përmbushin as minimumin e përgjegjësive që i kanë marrë. PDK ka shprehur qëndrimet dhe vizionin e vet që nga 6 tetori dhe deri tash asgjë nuk ka ndryshuar”, ka potencuar Memli Krasniqi.