Reformat në ekonomi dhe në drejtësi, fokus i qeverisë

Reformat në ekonomi dhe në drejtësi, fokus i qeverisë ‘Kurti’ – Lajmet e fundit


Foto: Laura Hasani


Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë intensifikuar angazhimin e tyre në negociatat Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria “Kurti” dialogun me Serbinë e sheh si të vetmin opsion për normalizim të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve. Gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” Hoti ka pohuar se Qeveria është për zëvendësim të taksës me masën e reciprocitetit, mirëpo ka konsideruar se paraprakisht duhet të ketë koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në e me BE-në, shkruan gazeta “Zëri”.

Zëri: Z. Hoti, pas disa muajve negociata me Lëvizjen Vetëvendosje ju arritët të lidhni koalicionin bashkqeverisës për 4 vjetët e ardhshëm. Sa ishte i vështirë ky rrugëtim juaji?

Hoti: Mund të them se nuk ishte proces i vështirë sa u përket çështjeve, të cilat do t’i adresojmë tash në Qeveri. Do të kisha thënë që ishte një proces jo i pazakontë i negociatave politike për koalicionin qeverisës. Besoj që ndoshta vërtet janë 3 muaj kohë, por janë definuar shumica e çështjeve me të cilat tash do të përballemi dhe kjo tash na bën qeverisjen më të lehtë dhe më të parashikueshme në vendimmarrje. 

Zëri: Një proces që ka mbetur i padefinuar është posti i presidentit, për të cilin keni pasur pakënaqësi gjatë negociatave. Si jeni marrë vesh për këtë çështje me LVV-në?

Hoti: Dakordimin tonë politik si LDK e kemi bërë që marrëveshja, e cila është arritur tanimë me Lëvizjen Vetëvendosje, të jetë e balancuar, në kuptimin që njëra parti e ka kryeministrin, pra udhëheq me ekzekutivin, ndërsa tjetra parti i ka dy pozita të tjera të larta shtetërore, që është kryetari i Kuvendit, presidenti dhe përbërja e Qeverisë, e cila është ndarë në bazë të marrëveshjes. Atë që e kemi nënshkruar, marrëveshja pra, që është nënshkruar nga dy liderët, është një marrëveshje brenda parimeve të miratuara në organet e partisë sonë, pra të LDK-së. 

Zëri: Cili është planprogrami i qeverisë “Kurti” dhe cilat janë prioritetet tuaja si Qeveri?

Hoti: Besoj që programi ynë është ndër programet më ambicioze që kanë pasur qeveritë e deritanishme. Duke pasur parasysh edhe nevojën që ka Kosova pas disa viteve qeverisje dhe problemeve me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve, pa dyshim zhvillimi ekonomik do të jetë pika qendrore e programit tonë, sepse në fund të gjitha politikat qeveritare, të gjitha masat që i ndërmarrim, të gjitha ndryshimet që i ndërmarrim në fund përkthehen në krijim të vendeve të reja të punës dhe në përmirësim të standardit të jetës së qytetarëve. Por krahas kësaj për të mbështetur një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik neve na duhen edhe sektorët e tjerë, siç është sundimi i ligjit. Ajo që dëshirojmë ta bëjmë në këtë drejtim është që së pari të vendosim shembullin vetë si qeveri, duke u siguruar të zbatohet ligji në përpikëri nga gjithë zyrtarët e qeverisë, duke u siguruar që gjithë ata të cilët në çfarëdo forme kanë rënë ndesh me ligjin të spostohen derisa të kryhen procedurat ligjore dhe të sigurojmë përmes ligjeve të reja, ndryshimeve të nevojshme, që të betonohet ndarja e pushteteve në mes të ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, në mënyrë që secila prej tyre ta bëjë punën e vet, por edhe të jetë e mbrojtur me ligjet përkatëse, që të mos ketë mundësi askush të ndërhyjë në vendimmarrje brenda organeve të drejtësisë.

Zëri: Është premtuar edhe fillimi i procesit të vetingut, sa besoni që do t’ia dilni ta realizoni këtë premtim, aq më parë kur dihet që ky proces është ballafaquar me probleme të mëdha në të kaluarën në Kosovë?

Hoti: Është një proces, për të cilin ne jemi dakorduar në parim. Por për mënyrën sesi do të zbatohet në praktikë ne do të angazhojmë ekspertizën më të mirë vendore dhe do të studiojmë edhe përvojën ndërkombëtare, pra ajo që është edhe më e rëndësishme, do ta bëjmë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në Kosovë ka pasur misione të ndryshme të sundimit të ligjit, UNMIKU më herët, EULEX-i dhe tash kemi programe të ndryshme të BE-së që e mbështesin reformën në sistemin e drejtësisë. Bashkë me ta do ta bëjmë këtë ndryshim, por dua të them se sistemi i drejtësisë në Kosovë më shumë vuan nga mungesa e performancës sesa nga problemet tipike që zgjidhen përmes vetingut, siç ta zëmë ka ndodhur nëpër vende të tjera.