Rektori Hajrizi uron të rinjtë për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Rektori Hajrizi uron të rinjtë për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

Për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka uruar gjithë të rinjtë anë e mbarë trojeve shqiptare, duke theksuar se ata kanë potencial dhe mund të ndikojnë në përmirësimin e proceseve, të tejkalojnë pengesat dhe sfidat me të cilat përballen.

Rektori Hajrizi tha se të rinjtë e Kosovës janë frymëzim për të tashmen dhe të ardhmen tonë, të cilët po punojnë pa u kursyer në fuqizimin e rolit të tyre, teksa potencoi se institucioni që ai drejton do të punojë vazhdimisht që zëri i tyre të përfaqësohet edhe në arenën ndërkombëtare.

“UBT e kupton më së miri rëndësinë e të rinjve në proceset politike, ekonomike, sociale, si dhe rëndësinë që kanë në të bërit shkencë. Si institucion, kemi parë potencialin e rinisë tonë, prandaj kemi gjetur mënyra për të promovuar dhe angazhuar të rinjtë dhe studentët tanë në mënyrë që ata të japin kontribute pozitive në komunitet. Si rrjedhojë, UBT i ka ofruar rinisë tonë mundësinë për përfshirje në zërat, veprimet dhe iniciativat e të rinjve në vend, rajon dhe botë, por paraprakisht, si institucion sollëm në Kosovë arsim cilësor dhe programe inovative, me të vetmin qëllim, që të rinjtë tanë të aftësohen profesionalisht në fusha të ndryshme jetësore. Mos emigroni, jetësoni ëndrrat tuaja në Kosovë, angazhohuni dhe të bëhuni pjesë aktive e vendimmarrjes”, theksoi rektori Hajrizi.