Rëndohet kriza e pandemisë në Indi / Totali i rasteve kalon 20 milionë. 13 ditë radhazi me mbi 300,000 infeksione

Rëndohet kriza e pandemisë në Indi / Totali i rasteve kalon 20 milionë. 13 ditë radhazi me mbi 300,000 infeksione

Totali i rasteve me Covid-19 në Indi ka kaluar 20 milionë, sipas ministrisë së Shëndetësisë.  Në 24 orët e fundit, India shtoi 357,229 raste, duke e çuar totalin në 20.3 milionë, ndërkohë që vdekjet u rritën me 3,449, në 222,408.  Vendi në Azinë Jugore ka raportuar mbi 300,000 raste ditore të Covid-19 për 13 ditë me radhë, ndërkohë që pandemia vazhdon të gjunjëzojë vendin. India raportoi rasin e parë të koronavirusit në Janarin e vitit të kaluar dhe kaloi 1 milionë raste në Korrik. Dy muaj më vonë, shifra u rrit me 5-fish dhe deri më 19 Dhjetor, u kalua niveli i 10 milionëve.  Muajt në vijim pati një rritje relativisht të ulët, por me zhvillimin e eventeve publike në Mars, totali u ngrit sipër 12 milionë.   Që prej muajit Prill, si numri i rasteve edhe i vdekjeve janë rritur në mënyrë dramatike, ndërkohë që situata e pandemisë u përkeqësua.  U deshën vetëm 11 ditë që numri të përshpejtohej nga 12 milionë në 13 milionë, ndjekur nga 6 ditë për 1 milionë raste të tjera dhe më pas vetëm 4 ditë që të prekte 15 milionë.  Rritja e madhe e rasteve ditore ka shkaktuar një mungesë të oksigjenit dhe barnave bazike në spitalet e vendit, Sipas mediave, institucionet mjekësore janë gjunjëzuar nga numri i pacientëve, duke i kthyer disa mbrapsht.  Për t’i bërë ballë krizës, qeveria indiane ka disponuar trena dhe forcën ajrore për të tranportuar oksigjenin në zonat e goditura, si dhe ka importuar furnizime nga vende të tjera.  India nisi programin e vaksinimit në Janar dhe deri më tani, janë administruar 157 milionë doza.  Dhjetëra shtete në botë kanë premtuar mbështetje dhe kanë dërguar pajisje mjekësore dhe përqendrues të oksigjenit, për të ndihmuar vendin.

Klevis Llaha – SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.