Restaurim i thellë i ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kukullave

Restaurim i thellë i ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kukullave

Godina historike e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Tiranë, ndërtuar në vitin 1924, po i nënshtrohet një restaurimi të thellë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga punimet restauruese, të cilat do të transformojnë godinën e Teatrit të Kukullave.

Godina historike e Teatrit të Kukullave po i nënshtrohet restaurimit, si pjesë e programit EU4Culture Albania dhe zbatuar nga UNOPS.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme edhe në këtë godinë monumentale. Projekti përfshin restaurimin e çatisë, muraturës dhe ruajtjen e elementëve origjinalë.

Godina e “Teatrit të Kukullave” në fillim u ndërtua nga austriakët dhe më pas në vitin 1925 pjesa e mbetur u përfundua prej shtetit shqiptar. Gjatë viteve 1925-1944 ka shërbyer si selia e legjislativit shqiptar. Më pas kjo ndërtesë shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas përfundimit të luftës ky objekt shërbeu edhe si Shtëpia e Pionierëve.

Pas kësaj, përfundimisht në të u vendos Teatri i Kukullave sikurse shërben edhe në ditët e sotme./atsh/ KultPlus.com