Rihapet dosja e Gërdecit - Apeli i Gjykatës së Posaçme pranon kërkesën e SPAK për hetimin e ish Ministrit, Fatmir Mediu

Rihapet dosja e Gërdecit – Apeli i Gjykatës së Posaçme pranon kërkesën e SPAK për hetimin e ish Ministrit, Fatmir Mediu

Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar ka rihapur dosjen e Gërdecit. Ajo ka rrëzuar të premten vendimin e shkallës së parë të kësaj Gjykate, e cila hodhi poshtë fillimisht kërkesën e SPAK për çeljen e hetimeve kundër Fatmir Mediut, ish Ministër Mbrojtjeje në kohën e shpërthimit në fabrikën e municioneve në këtë fshat. Shkalla e parë argumentoi se çështja ishte parashkruar me kalimin e viteve dhe se Prokuroria kishte pasur gjithë kohën e nevojshme për hetimin e saj. SPAK e ankimoi vendimin dhe Apeli i Gjykatës së posaçme vendosi përfundimisht rihapjen e dosjes së shumëpërfolur.

Shkak për rihapjen e hetimit është kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

SPAK argumentoi se Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin procedural penal.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston. Argument që përfundimisht u pranua nga Apeli i Gjykatës së Posaçme.

Si rezultat i ngjarjes së rëndë ndodhur në Gërdec në vitin 2008 u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.2 miliardë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Lorenc Rabeta / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.