Rikthehen masat tek firmat në SHBA - Twitter mbyll zyrat e rihapura. “Big Tech” nis të kërkojë vaksinimin

Rikthehen masat tek firmat në SHBA – Twitter mbyll zyrat e rihapura. “Big Tech” nis të kërkojë vaksinimin

Twitter po mbyll zyrat e rihapura në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kompani të tjera të teknologjisë po bëjnë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit brenda kampuseve, ndërkohë që varianti Delta po nxit rikthimin e rasteve me Covid. Google dhe Facebook theksuan se të gjithë punonjësit amerikanë duhet të vaksinohen për të hyrë në zyra. Google po planifikon gjithashtu të zgjerojë fushatën e vaksimimit edhe në rajone të tjera në muajt e ardhshëm.

Twitter, që pezulloi edhe rihapjen e ardhshme të zyrave, kishte nisur të lejojë punonjësit në kampuset në San Fransisco dhe New York në 50% kapacitet. Rastet me Covid në SHBA janë rritur për shkak të variantit Delta, që u shfaq për herë të parë në Indi dhe përbën tashmë mbi 80% të infeksioneve të reja në SHBA.  Autoritetet e shëndetësisë kanë thënë se amerikanët e vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 duhet të vendosin përsëri maska në ambiente të brendshme, në zona ku koronavirusi po përhapet shpejtë.

Gjiganti i filmave në rrjet, Netflix, ka zbatuar gjithashtu një politikë që detyron vaksinimin për stafin e të gjithë produksioneve në SHBA. Apple planifikon të rikthejë politikat e detyrimit të maskave për shumicën e dyqaneve retail në SHBA, si për konsumatorët edhe për stafin, edhe nëse janë të vaksinuar.  Google shtoi se do të zgjerojë politikat e punës nga shtëpia deri më 18 tetor, për shkak të rritjes së rasteve me Delta në shumë rajone.

Klevis Llaha / SCAN

 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.