Rikthehet muzika historike e filmit në Itali

Rikthehet muzika historike e filmit në Itali

Kolonat zanore nga epoka e artë e kinematografisë italiane, vihen në dispozicionin e gjeneratave të reja të adhuruesve të filmit dhe muzikës, falë një marrëveshjeje të re ndërmjet studiove “Universal Music Group” dhe “Sugar”, që është studioja kryesore e pavarur në Itali.

Më shumë se 2 mijë kolona zanore historike nga filma të tillë, si ata të Federico Fellinit, “La Dolce Vita” dhe “Amarcord” dhe filmi i Luchino Viscontes, “Il Gattopardo”, përfshirë edhe këngë të realizuara nga kompozitorë të famshëm siç është, do të rivendosen në dispozicionin e publikut dhe do të shpërndahen përmes kompanisë incizuese, “Decca Records”.

Në bazë të kësaj marrëveshje, “UMG Italy” po ashtu do të shpërndajë muzikë nga lista e artistëve bashkohorë të labelit “Sugar”, përfshirë këtu një prej bendeve më të njohur të muzikës pop në Itali, “Negramaro” dhe artisti i muzikës pop dhe jazz, Raphael Gualazzi.

“Krijimi i një zgjidhjeje unike të distribuimit mbarë botëror të muzikës së kompanisë incizuese ‘Sugar’, është një hap vërtetë i rëndësishëm dhe mezi po presim ta shtrijmë shikueshmërinë tonë edhe në territore të reja” – ka deklaruar Filippo Sugar, kryeshef ekzekutiv i kompanisë 88-vjeçare të muzikës në Itali.

Studiot “Universal” dhe “Sugar”, në të kaluarën kanë bashkëpunuar edhe në disa projekte tjera, përfshirë këtu performancën e transmetuar live të tenorit italian, Andrea Bocelli, nga katedralja e zbrazët “Duomo” në Milano, në mes të pandemisë, që atëkohë e kishte goditur më së shumti Italinë. /KultPlus.com