Rikthehet vëmendja te Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, që u nis më 2010

Rikthehet vëmendja te Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, që u nis më 2010

Kujtimet për Nënë Terezën parashihet të mblidhen edhe në Prizren, ku të parët e saj kanë lënë gjurmë të pashlyera brenda komunitetit. Ato do të ruhen në një ndërtesë që kishte filluar të ngrihej në vitin 2010 me buxhet të Ministrisë së Kulturës, ndërkohë që, sipas raporteve, punimet në të kishin përfunduar qysh në vitin 2012.

Rishtazi, Komuna e Prizrenit dhe dega në Kosovë e fondacionit suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB) kanë ndërmarrë nismën për funksionalizimin e Muzeut të Nënë Terezës. Në këtë institucion kulturor planifikohet që të shpalosen gjurmë dhe tregime të jetës së shenjtores shqiptare Gonxhe Bojaxhiu.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të martën, në rrjetet sociale, ka shprehur qëndrimin se Prizrenit do t’i shtohet edhe një muze. Ai ka sqaruar se me CHwB-në muaj më parë është nënshkruar marrëveshja për funksionalizimin e Muzeut të Nënë Terezës.

“Objekti për muzeun e Nënës Terezë është ndërtuar në vitin 2010, mirëpo nuk janë përfunduar të gjitha punimet në të. Në takim u informova për mbarëvajtjen e projektit dhe intervenimet të cilat do të bëhen, ku përveç intervenimeve të detyrueshme në fasada, kulm, dysheme, mure dhe instalimeve të ngrohjes e ventilimit, në këtë objekt do të vendoset edhe lifti për t’iu mundësuar qasje personave me aftësi të kufizuara. Së shpejti do të bëhet edhe thirrja publike për mbledhjen e artefakteve dhe informatave rreth jetës dhe veprës së Nënës Terezë”, ka shkruar Haskuka.

Ndërsa Adea Mekuli nga CHwB-Kosova ka bërë të ditur se funksionalizimi i Muzeut të Nënë Terezës në Prizren është pjesë e projektit “Shtegu Kulturor ‘Gjurmëve të Nënës Terezë’”, në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë-Maqedoni Veriore, që mbështetet nga BE-ja.

“Nënë Tereza është një simbol i dashurisë dhe paqes në botë, por jeta e saj shpesh është subjekt i interpretimeve të njëanshme, duke rezultuar në retorikë të tensionuar në mesin e disa komuniteteve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Krijimi i një shtegu kulturor që tregon për jetën e hershme të Nënës Terezë mund të sjellë një mundësi që lokacionet e ndërlidhura me jetën në rini të saj të evidencohen zyrtarisht dhe narracioni historik mbi prejardhjen, familjen dhe rininë e saj të gjejë një pajtim më të gjerë. Ky shteg kulturor tenton të paraqesë një udhëtim për prejardhjen, fëmijërinë dhe rininë e saj, deri te vendimi për t’u bërë motër misionare”, ka thënë Mekuli. Sipas saj, projekti ka nisur të zbatohet në vitin 2019 dhe do të zgjasë 2 vjet. Ajo ka pohuar se tashmë identifikimi i lokacioneve të ndërlidhura me jetën e Nënës Terezë dhe të familjes së saj në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut ka përfunduar, dhe se gjendja fizike e aseteve dhe qasjes tek ato është analizuar dhe vlerësuar.

“Aktualisht është në përfundim e sipër një hulumtim gjithëpërfshirës mbi narracionin historik për jetën e hershme të Nënës Terezë, i cili do të përdoret për broshura shpjeguese përgjatë shtegut, ueb-faqe, videodokumentarë dhe publikime të tjera ku shihet e nevojshme gjatë projektit”, ka deklaruar Mekuli. Tutje ka shpjeguar se ndërhyrjet fizike me qëllim të restaurimit dhe rinovimit në objekte të përzgjedhura përgjatë shtegut do të jenë aspekti thelbësor për të siguruar qëndrueshmëri të projektit.

Gjatë procesit të identifikimit të lokacioneve, sipas saj, ndër të tjera është shënjuar edhe ndërtesa e paraparë për Muze për Nënën Terezë në Prizren.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.