“Rolling Film Festival” pyet botën me historitë e popullit rom

“Rolling Film Festival” pyet botën me historitë e popullit rom

Para një dekade kishte filluar si përpjekje për të përshfaqur jetën e vështirë të pjesëtarëve të komunitetin rom. Por me edicionin e sivjetmë, të gjashtin me radhë, “Rolling Film Festival” (RFF), po hedh hapin e radhës që të brandohet si një prej ngjarjeve të njohura kulturore të kryeqytetit të Kosovës.

Pasditen e së premtes, në mjediset e “Kino Armatës”, RFF ka mbajtur ceremoninë hapëse për edicionin që mëton të zbardhë përvojat e rropatjet plot sfida të romëve.

Me shfaqjen e filmit “Daniel”, nën regjinë e Lorenta Bërbatovcit, për disa ditë radhazi, RFF do të shfaqë online 30 projekte kineaste nga e gjithë Evropa.

“Daniel”, si film i metrazhit të shkurtër, sjell rrëfimin e dy fëmijëve romë që janë edhe aktorët kryesorë.

“Danieli, fëmijë në moshën 11-vjeçare, pas martesës së motrës së tij 14 vjeçe, vendos të ikë nga shtëpia me të motrën e tij 8-vjeçare, Berfinën, me qëllim që ta shpëtojë nga fati i njëjtë me të motrën. Caku i tyre është kryeqyteti dhe udhëtimi i tyre është i vështirë”, thuhet në sinopsisin e dhënë në faqen zyrtare të festivalit.

Dita e parë e edicionit është pasuar edhe me shfaqjen e animacionit “Riza’s Night” nën regjinë e Todh-Pocs Roland (Hungari) si dhe “Genesis” nën regjinë e Árpád Bogdánit, po ashtu nga Hungaria.

Në fjalën e hapjes, Avni Mustafa, drejtor i Festivalit, ka thënë se qëllimi i edicionit të sivjetmë është për të promovuar trashëgiminë kulturore rome.

“Është një mundësi unike për të sjellë njerëz nga shtete, kultura e prapavija të ndryshme që promovohet kultura”, ka thënë Mustafa. “Ky festival sjell artistë të ndryshëm nga bota dhe shërben si platformë për të paraqitur mundësitë dhe sfidat e popullit rom”.

Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar edhe Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës. Ai ka thënë se është për t’u admiruar puna e organizatave të ndryshme joqeveritare për realizimin e një ngjarjeje të tillë kulturore.

Me këtë rast, ai ka zgjedhur të citojë fjalët e presidentes Vjosa Osmani, e cila ditë më parë me rastin e një ekspozite për fëmijët romë, kishte thënë se këto ngjarje tregojnë se “fuqia e artit mund të jetë pikënisja më e mirë për të thyer barriera e stereotipe”.

“Ne, si Komunë, zotohemi se do të përpiqemi ta përfshijmë këtë festival në mesin e festivaleve zyrtare të Prishtinës”, ka shtuar Berisha.

Kurse drejtori artistik i RFF, Sami Mustafa, ka thënë se edicioni i sivjetmë vjen me pyetjen se në cilën botë po jetojmë, nëse është ëndërr apo realitet. “Ëndrra është ajo që na bie në edicionin e gjashtë, por ëndërr është edhe që të kalojë COVID-i”, ka thënë mes të tjerash ai.

Ndryshe, dita e dytë e festivalit do të pasohet me premierën botërore të filmit “Like a Wind” nën regjinë e Raquel Ruiz (Argjentinë), “Deathless Woman” nën regjinë e Roz Mortimer (Britani e Madhe), “Gheto Balboa” nën regjinë e Árpád Bogdán (Hungari). Në të tretën ditë do të jepen filmat: “St. George and the Dragon” nën regjinë e Gus Keams (Britani), “The Path” i Dushka Latasit (Serbi) dhe “The Shalter” i Fernand Melgarit (Zvicër). Në ditën e katërt të festivalit vijohet me shfaqjen e filmave: “Princes Among Men” i Stephan Crasneansskit (Francë), punëtorinë e organizuar mbi filmin e animuar, “Doja, the Gypsy Fairy” i Mária Horváth dhe “Titita” i Tomás Almásit (Hungari).

Dita e pestë, dhe e fundit e festivalit, pos një punëtorie për filmin e animuar, ka në program filmat “District 8” të Aron Gauderit (Hungari), “The Story of the Sun and the Moon” të Szoboszlay Eszterit (Hungari), “Gypsy Queen” të Hüseyin Tabakut (Gjermani/Austri).