Rrëfimet e pabarazisë gjinore si nxitje për ndryshim

Rrëfimet e pabarazisë gjinore si nxitje për ndryshim

Padrejtësitë ndaj grave, vështirësitë e një nëne, mërzia dhe përditshmëria e zymtë e një plake janë midis rrëfimeve të shpalosura në projektorin e Garës Kombëtare në “Dokufest”.

“Gojë ka, gojë s’ka” nuk është thjesht fjali e dëgjuar. Ajo shndërrohet edhe në frymëzim artistik të Valmira Rashitit për të realizuar një film.

Pesë gra bëhen zëri i plotë i të tjerave, duke treguar gjendjen dhe trajtimin e tyre në familjet e reja që krijonin “te shtëpia e burrit”.

Titulli “Gojë ka, gojë s’ka”, siç thotë regjisorja, ka lindur gjatë bisedave familjare në izolimin pandemik.

“Jemi mbledhur gjatë karantinës me familjarë dhe njëra nga gratë ka thënë ‘ktyneherë gratë i kanë dashur më shumë dhe kanë thënë gojë ka gojë s’ka’”, ka thënë regjisorja Rashiti.

“Eksperienca e të bërit film ka qenë stresuese për shkak që kam dashur të përçoj mesazhe të grave që i njoh qe një kohë të gjatë”, ka pohuar Rashiti.

Ajo ka treguar se ka qenë i qëllimshëm fakti që e ka lënë secilën protagoniste ta përmbledhë rrëfimin e saj deri në fund brenda filmit 15-minutësh.

“Ka qenë përmbushës fakti që vetëm e kemi lënë kamerën dhe ato e kanë treguar historinë e tyre pa ndonjë skenar”, ka thënë Rashiti.

E jetën e zymtë të një nëne 90-vjeçare, e cila jeton e vetmuar në një fshat të Shqipërisë dhe i ka fëmijët e shpërndarë nëpër botë, e përmblodhi filmi “Nëna Marte”, nën regjinë e Dorina Toçit.

Toçi ka thënë se pandemia gjithashtu ka qenë e frytshme, teksa ka menduar se si është të përjetosh izolimin në vetmi dhe pa askënd.

“Fillova duke menduar çfarë bëhet me një nënë në kohën e COVID-it dhe sidomos kur s’lejohet të ndihmohet njëri-tjetri”, ka treguar Toçi.

Ajo ka kontaktuar pastaj vajzën e personazhit kryesor të filmit, Martes, duke i kërkuar detaje se çfarë është duke bërë. Ky kishte qenë moment kur ajo kishte vendosur ta realizojë një film për të.

“Mënyra se si vishej e qëndronte drejt, unë s’e kam atë energji, për mua ishte inspirim e kënaqësi kur ishte vetja”, përfundoi Dorina Toçi.

E në një rrafsh tjetër të vetmisë u shpalos edhe fati i një gruaje e cila jeton në fshatin Drisht të Shkodrës. Regjisorët Ilma Tyrbetari dhe Alexandros Kantoros kishin vendosur t’i japin zë asaj me filmin “Lulet mungojnë”, pikërisht për faktin që qëndronte stoike në një vend larg të gjithë familjarëve të saj.

Ishte regjisori Sezer Salihi ai i cili tërmetin e vitit 1963 në Shkup e shndërroi në frymëzim artistik duke jetësuar filmin “Korriku”, mirëpo duke e ngritur në një rrafsh më personal.

“Filmi është për tërmetin e Shkupit, një gjë tejet serioze e një katastrofë për Maqedoninë e Veriut, sepse 80 për qind e vendit është dëmtuar”, ka thënë ai.

Përveç si produksion filmik, edhe gjuhët në të cilat rrjedh narracioni janë shqipja, maqedonishtja e turqishtja. Regjisori nga Shkupi beson se mesazhi i filmit ka diçka humanitare përbrenda saj.

“E kam pasur një shok që ka vdekur para 3 vjetësh, aktori legjendar në teatrin turk në Shkup, Salahadin Bilall, ai ka qenë fqinj me Bajrush Mjakun, dëshira ime ishte që edhe Salahdini të luajë me Bajrushin”, ka thënë ai.

Më pas, filmi “Një fëmijë” ka nxjerrë në pah problemet me gjasat e të qenët steril në një ambient familjar shqiptar.

Regjisori Bekim Guri, me një bazë reale nga jeta e tij, shpalos dimensionin e burrave të paprekshëm në krenari, duke i luftuar pikërisht me personazhin e tij kryesor, i cili kryen procedurat e duhura mjekësore.

“Nuk është e lehtë të shpërfaqësh veten dhe gjërat personale, mirëpo nëse dëshirojmë të ndryshojmë si shoqëri duhet ta bëjmë”, ka thënë Guri.

Tutje, ai thekson se ka një lidhje emocionale tejet të madhe me filmin për shkak të babait të vet të ndjerë, pasi përgjatë periudhës kur ai priste analizat mjekësore, gruaja ishte me barrë, ndërkaq i ati i Gurit vdiq pa e parë nipin.

“Filmi të kthen në kohë kur e kemi prodhuar mostakimin e babait me djalin. Babai ka qenë i shtrirë në të njëjtin spital dhe djali u lind aty”, ka treguar ai.

Konkurrenca në Garën Kombëtare do të vazhdojë edhe përgjatë ditës së premte, duke u shfaqur edhe 5 filma të tjerë në platon e “Doku Kinos”.