'Zonat e kuqe' do vazhdojnë me kufizimet, Rama: “Në qershor plani për hapjen e transportit publik”

“Rrënojat” që la pas COVID-19 – Situata e ekonomisë dhe buxhetit dhe rreziqet për të ardhmen – SCAN Magazine

Humbjet më të mëdha i ka pësuar sektori privat. Mbyllja e kufinjve ka dëmtuar jo vetëm transportin por njëkohwsisht ka goditur rëndë, zinxhirin e biznesve në turizëm, hoteleri, shërbime, bare e restorante të cilat u desh të mbyllen për javë me radhë.

Arka e shtetit i ka ndjerë në mënyrë direkte pasojat e Covid-19. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, në 4 mujor, janë mbledhur rreth 16.3 miliardë lekë  apo 132 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. 

Sipas Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve në 4 mujor ishte 148.7 miliardë lekë, apo 2.4 miliardë lekë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritje të ndjeshme kanë pësuar shpenzimet korrente, dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me pagat e administratës shtetërore.

Bizneset janë përpjekur të mbajnë stafin e tyre duke u paguar sigurimet shoqërore, ndërsa qeveria ka mundësuar dhënien e pagës së luftës prej 26 mijë lekësh për 60 mijë të punësuar për tre muaj, ndërsa për 176 mijë të tjerë procesoi dhënien e një page prej 40 mijë lekësh.

Në të paktën dy muaj, infeksioni i coronavirus arriti të deportojë në çdo “qelizë” të ekonomisë shqiptare, duke lënë shenjat e veta të lehta apo të rënda në secilën prej tyre. Për shkak të masave drastike të marra nga qeveria kundër COVID-19, mbylljes totale të një pjesë te ekonomisë, kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, mbylljes së kufinjve, u goditën shërbimet, transporti, tregtia me shumicë e pakicë, turizmi, tregu i pasurive të paluajtshme, bujqësia e të tjerë sektorë të ekonomisë. Ndërkohë që paralelisht u rrënua edhe buxheti i shtetit, për shkak të rënies drastike të të ardhurave ku vetëm në dy muaj humbi 154 milionë euro dhe shpenzimeve të larta, për të mbuluar deri diku pasojat e coronavirus.

COVID-19 rrënon arkën e shtetit

Arka e shtetit i ka ndjerë në mënyrë direkte pasojat e në dy muajt ku janë aplikuar masat e marra kundër Covid-19, duke mbyllur aktivitetin e një pjese të konsiderueshme të bizneseve. Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, në 4 mujor, janë mbledhur rreth 16.3 miliardë lekë  apo 132 milionë euro më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa defiçiti arriti në 126 milionë euro. E shprehur në përqindje, rënia llogaritet në -10.9 për qind dhe total i të ardhurave arrin në 133 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pësuar goditjen më të madhe me 12.2 miliardë lekë minus apo 12.5 për qind më pak krahasuar me Prillin 2019. Kështu, me rënie drastike paraqiten të ardhurat nga TVSH-ja, me afro 4.3 miliardë lekë, ku janë mbledhur në total 39.2 miliardë lekë, çka është pasojë e rënies së importeve si dhe të konsumit. Po ashtu edhe nga tatimi mbi fitimi janë mbledhur 4.5 miliardë lekë më pak, për shkak se qeveria mori masa lehtësuese për shtyrjen e afateve të pagesave për bizneset e mëdha si dhe faljen për bizneset e vogla, ndërkohë që afati i përcaktuar ishte muaji Prill. Nga ky zë u mblodhën 10.8 miliardë lekë në muajin Prill 2020.   Ndërkaq, 1,6 miliardë lekë më pak janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat personale, pasi edhe në këtë rast u shty afati për të paguar detyrimet. Administrata tatimore ka siguruar 1.1 miliardë lekë më pak edhe nga taksat nacionale dhe 600 milionë lekë më pak nga akcizat, duke bërë që të gjithë treguesit e të ardhurave në buxhet të kenë marrë goditje. Ndërsa, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 300 milionë lekë në raport me vitin e kaluar, ku janë regjistruar në 16.5 miliardë lekë. Po të analizojmë shifrat se si ka lëvizur totali i të ardhurave vetëm përgjatë dy muajve të pandemisë, vihet re se në Mars 2020 u mblodhën 33 miliardë lekë, apo 6.3 miliardë lekë më pak se Marsi 2019. Ndërsa humbja më e madhe është refelektuar në muajin Prill ku u arkëtuan 28.8 miliardë lekë nga 41,1 miliardë që u mblodhën në Prill të 2019-ës. Kjo do të thotë se në dy muajt ku ekonomia shqiptare ishte nën efektin e masave të Coronavirus, u mblodhën 61.8 miliardë lekë, ndërkohë që në Mars-Prill 2019 u mblodhën 80.9 miliardë lekë, duke bërë që humbja e Covid në të ardhura të jetë 19.1 miliardë lekë, apo 154 milionë euro.

Bashkitë “bien” me 41%  

Një pjesë e boshllëkut në të ardhura, i është faturuar pushtetit vendor. Bashkitë kanë mbledhur rreth 3.9 miliardë lekë apo 25 milionë euro më pak në 4 muajt e parë të 2020-ës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, me rënie në masën 41 për qind. Sipas të dhënave të Ministrisë së Fianancave, në Janar-Prill nga vendorët u mblodhën afro 5.7 miliardë lekë, për shkak të masave frenuese të marra në kuadër të COVID-19. Ndërsa vetëm për muajin Prill pushteti lokal ka mbledhur vetëm 1.6 miliardë lekë, nga 4.7 miliardë që mblodhi në Prill të 2019-ës, një rënie prej 3.1 miliardë lekësh, ndërsa në Mars 1.1 miliardë lekë më pak, duke bërë që efekti Corona në të ardhurat e vendorëve në dy muaj të jetë 4.2 miliardë lekë minus apo 33,9 milionë euro. Rënien të më madhe e kanë pasur të ardhurat nga taksat lokale, ku janë mbledhur 4.3 miliardë lekë nga 7 miliardë lekë që u mblodhën në 4 mujorin e 2019-ës, për shkak se bizneset nuk kanë pasur aktivitet në dy muajt e fundit dhe se një pjesë e bashkive kanë vendosur të shtyrjen pagesat e disa detyrimeve. Po ashtu, edhe të ardhurat nga taksa e pasurisë së paluajtshme kanë pësuar rënie me 1.2 miliardë lekë. Vetë administrate lokale ka qenë me kufizim stafi gjatë periudhës së pandemisë, por nga ana tjetër vëmendja është përqendruar më së shumti në përballimi e saj sesa në vjeljen e taksave, për të mos ngushtuar bizneset gjatë kësaj periudhe të vështirë për ekonominë.

Shpenzimet në buxhet

Ndërkohë që të ardhurat në buxhet në 4 muajt e parë të vitit, kanë pasur një rënie drastike prej 132 milionë euro, në anën tjetër shpenzimet janë rritur, pavarësisht urdhrit të kryeministrit në fillim të pandemisë, për reduktimin e tyre. Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve në 4 mujor regjistrohet në 148.7 miliardë lekë, apo 2.4 miliardë lekë më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritje të ndjeshme kanë pësuar shpenzimet korrente, dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me pagat e administratës shtetërore, ndërkohë që kanë rënë pagesat për interesat.  Në total shpenzimet korrente arrijnë vlerën e 132 miliardë lekëve. Po ashtu, peshë më të madhe e mbajnë pagesat sociale, ato për papunësisë apo ndihmën ekonomike, të cilat janë akorduar për të amortizuar pasojat e COVID-19, ku në total arrijnë në 14.4 miliardë lekë, apo 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Për të dyja këto kategori, qeveria vendosi që gjatë periudhës Mars dhe Prill, të merrnin dyfishin e ndihmës duke bërë që në këtë periudhë të shpenzohen 9.9 miliardë lekë, nga 4.3 miliardë që u shpenzuan Mars-Prill 2019. Ndërkohë, shpenzimet për fondet speciale, si sigurimet shoqërore apo shëndetësore, arrijnë në vlerën e 54.3 miliardë lekëve në Janar-Prill 2020, me një rritje prej 700 milionë lekësh në raport më të njëjtën periudhë të 2019-ës. Nga ana tjetër shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes kanë pësuar një rënie të lehtë.

Pasojat në punësim

Pandemia e Coronavirus duket se zyrtarisht nuk e ka goditur punësimin në përmasa të mëdha, pavarësisht masave të marra nga qeveria të cilat çuan në mbylljen e një sërë biznesesh. Kështu, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në 4 muajt e parë të vitit në buxhetin e shteti u mblodhën nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në total 32.2 miliardë lekë, nga 32.6 miliardë lekë që u mblodhën në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, vetëm nga sigurimet shoqërore, që është tregues zyrtar i punësimit, të ardhurat ishin 27.8 miliardë lekë në 4 mujor, me një rënie vetëm vetëm prej 1.4 për qind në raport me faktin 2019, ndërsa në raport me planifikimin e bërë për këtë periudhë rezulton që janë akumuluar të ardhura në nivelin 1.5 për qind më shumë.  Sa i takon dy muajve të pandemisë Janar-Prill, buxheti i shtetit ka humbur 1.2 miliardë lekë apo 9.7 milion euro nga sigurimet shoqërore, ku pesha më e madhe është ndjerë në muajin Mars, ndërsa në Prill rënia është më e lehtë. Kjo tregon që pavarësisht situates dhe trembjes së fillimit, bizneset janë përpjekur të mbajnë stafin e tyre duke u paguar sigurimet shoqërore, ndërsa qeveria ka mundësuar dhënien e pagës së luftës prej 26 mijë lekësh për 60 mijë të punësuar për tre muaj, ndërsa për 176 mijë të tjerë procesoi dhënien e një page prej 40 mijë lekësh, për të minimizuar pasojat e COVID-19.

Eksportet dhe importet

Eksportet shqiptare kanë njohur një rënie të fortë në muajin Mars dhe Prill, për shkak të masave të mbylljes së kufijve dhe masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera. Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në Mars 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 18 mld lekë, duke u ulur me 36,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29,0 %, në krahasim me Shkurt 2020. E njëjta tendencë është konstatuar edhe me importet. Importet e mallrave arritën vlerën 42 mld lekë, duke u ulur me 25,4 %, në krahasim me një vit më pare dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurt 2020. Po ashtu, në Prill 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 15 miliardë lekë, duke u ulur me 44,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 16,5 %, në krahasim me Mars 2020. Importet e mallrave arritën vlerën 36 miliardë lekë, duke u ulur me 36,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 18,3 %, në krahasim me Mars 2020. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve kanë pësuar rënien më të madhe në të dy muajt për shkak të uljes së kërkesës, problemet për furnizimin me lëndë të parë, por edhe vështirësitë për  të punuar me kapacitet të plotë, për shkak të kufizimeve si dhe problemeve në shtetet partnere të cilat po ashtu u prekën nga pandemia.

Humbjet në biznes

Coronavirus ka shkaktuar humbje të mëdha edhe në sektorin privat. Mbyllja e fluturimeve ka sjellë të ardhura të munguara për kompaninë e vetme që funksion në treg, po ashtu transporti rrugor dhe detar është goditur rëndë, zinxhiri i bizneseve në sektorin e turizmit për shkak të anulimit të prenotimeve, sektori i shërbimeve, bareve, restoranteve të cilat u hapën të fundit si dhe hotelet për shkak të kufizimeve në lëvizje. Ndërkohë janë dëmtuar bizneset e vogla të cilat janë mbyllur, duke mos qarkulluar para për të paktën dy muaj ndërsa kanë përfituar vetëm mbështetjen minimale të qeverisë. I gjithë ky efekt ende nuk është llogaritur por vlerësohet të jetë në nivele shumë të larta të humbjeve.

Sa u shpenzua për mbështetje?

Ndërkohë, paratë e taksapaguesve shqiptarë u vunë në dospozicion gjatë kësaj periudhe për të amortizuar disi pasojat e rënda të COVID 19. Kështu qeveria vuri në dispozicion të bizneseve dhe punonjësve të mbetur të papunë si rrjedhojë e ndërprerjes së aktiviteteve ekonomike dy paketa mbështetëse, me një total vlere në 13 miliardë lekë, ku në të parën përfituan 60 mijë punonjës, nga 3 paga prej 26 mijë lekësh për secilin dhe me të dytën u planifikuan të mbështeteshin 176 mijë punonjës të tjerë. Ndërkohë që po ashtu u vunë në dispozicion dy fonde garancie sovrane, për bizneset që të mund të merrnin kredi në banka për të paguar pagat e punonjësve apo për ti ndihmuar në ringritjen e aktivitetit të tyre, ku shteti merr përsipër pagesën e interesave. Garancitë arritën vlerën e  26 miliardë lekëve. Ndërkohë që në humbje mund të llogariten dhe pagesat për rimbursimin e hoteleve për karantinimin e qytetarëve të riatdhesuar, të atyre që janë gjobitur nga vendet fqinje, apo shpenzime të tjera në funksion të kësaj situate.

 

TABELA

Të ardhurat në buxhet
Janar- Prill 2019  149.3 miliardë lekë
Janar- Prill 2020 133 miliardë lekë
Shpenzimet në buxhet
Janar-Prill 2019    146.3 miliardë lekë
Janar-Prill 2020  148.7 miliardë lekë
Shpenzimet sociale
Janar-Prill 2019    7.6 miliardë lekë
Janar-Prill 2020   14.4 miliardë lekë

 

Elisabeta Dosku / SCAN Magazine

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.