Rreziku nga “Delta”, disa mësimdhënës në shtator dalin të pavaksinuar para nxënësve

Rreziku nga “Delta”, disa mësimdhënës në shtator dalin të pavaksinuar para nxënësve – Lajmet e fundit

Foto ilustruese


Mbi 14 mijë mësimdhënës ende nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 në Kosovë. Nga Ministria e Arsimit nuk është marrë ndonjë vendim që t’ua obligojë mësimdhënësve vaksinimin, për të qenë pjesë e procesit arsimor. Kësisoj të pavaksinuar, në kohën kur shifrat e të infektuarve me COVID-19 po shkojnë duke u rritur, një pjesë e tyre do të dalin para nxënësve.

Në kohën kur po rriten rastet e reja të infektuara me COVID-19, e kur varianti Delta ka filluar të përhapet me shpejtësi në shumë shtete, shumë mësimdhënës nuk po pranojnë të vaksinohen kundër COVID-19.

E Ministria e Arsimit nuk ka marrë ndonjë masë që t’i obligoj ata që të vaksinohen, në mënyrë që të jenë pjesë e procesit arsimor, megjithëse një vendim i tillë do të përkrahej nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Nga mbi 23 mijë mësimdhënës që i ka vendi, më pak se 9 mijë prej tyre janë vaksinuar deri tani kundër COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Selami Xhemaili, ka thënë për Express se interesimi i mësimdhënësve për t’u vaksinuar deri tani ka qenë shumë i ulët.

Ai ka thënë se ky interesim që është treguar nga mësimdhënësit është shumë shqetësuese, duke shtuar se kanë pritur që mësimdhënësit të vijnë në grupe për t’u vaksinuar, e numri i tyre të jetë më i madh.

Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësiës kanë thënë se numri i mësimdhënësve të vaksinuar ka shkuar në rreth 8 mijë e 500.

Nga kjo ministri kanë thënë se po punojnë me drejtuesit e sektorit të arsimit që të nxisin mësimdhënësit që të vaksinohen.

“Numri i mësimdhënësve të vaksinuar ka shkuar në rreth 8,500. Në tre ditët e fundit ka një rritje të interesimit edhe nga ana e tyre për vaksinim, por MSh u bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që të vaksinohen, për një fillim të mbarë të procesit edukativo-arsimor në vendin tonë. MSh po bashkëpunon me sektorin e arsimit dhe drejtuesit e këtij sektori, që të nxis sa më shumë që ka mundësi vaksinimin në radhët e profesionistëve shëndetësorë”, është thënë nga zyra për informim në këtë ministri.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari ka thënë për Express numri i mësimdhënësve të vaksinuar deri tani është shumë i ulët, e këtë ai ka deklaruar se po e presin me shumë shqetësim.

Jashari ka thënë se deri tani Ministria e Arsimit nuk ka marrë ndonjë veprim që t’i obligoj mësimdhënësit që të vaksinohen, në mënyrë që të jenë të gjithë pjesë e fillim vitit të ri shkollor.

Megjithatë, ai është shprehur se nëse një vendim i tillë merret, ata nuk do ta kundërshtojnë.

“Ne kemi pritur që të jetë një numër më i madh dhe e kemi marrë me shqetësim këtë. Për momentin nuk ka ndonjë mundësi ligjore që ata të ndëshkohen, mirëpo besoj që ata do ta dëgjojnë edhe apelin tonë. Ministria e Arsimit e ka përmendur këtë qështje por s’ka thënë diçka konkrete. Ministria mund të dal në të ardhmen me ndonjë deklaratë dhe të kërkojë në mënyrë më të precizuar që ata të vaksinohen. SBASHK’u s’do të reagoj nëse ministria dhe institucionet e sjellin ndonjë vendim që vaksinimi i punëtorëve të arsimit të jetë edhe i obliguar”, ka thënë ai.

Jashari ka theksuar se të martën do të dalin me apel të përbashkët për mësimdhënësit.

“Të martën do të dalim me apel të përbashkët. Ne do të bëjmë çmos përmes mundësive tona që të apelojmë që i tërë stafi të vaksinohet. Unë dhe stafi jemi vaksinuar edhe me dozën e dytë që të jemi të mbrojtur dhe të shëndoshë. Ne do të përdorim të gjitha mundësit tona që t’i lusim që ta kryejnë obligimin sepse neve na duhet punëtorë arsimorë të vaksinuar, të mbrojtur që viti shkollor të ketë rrjedhë të mbarë dhe të mos kemi telashe, e të mos kalojmë në mundësi tjera të mësimit”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë për gazetën se janë duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje të plotë fizike, andaj edhe vaksinimi është një parakusht për krijimin e kushteve për mësimin me prezencë fizike.

Ajo ka deklaruar se presin që deri në fillim të vitit të ri shkollor mësimdhënësit të jenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës.

“Fatmirësisht ka vaksina të mjaftueshme të cilat janë të aprovuara dhe të sigurta andaj presim që deri në fillim të vitit të ri shkollor 2021-2022 mësimdhënësit të jenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19. Vaksinimi është një nga parakushtet për kujdesin ndaj vetes, shëndetit publik si dhe krijimin e kushteve për mësim me prezencë fizike prandaj punëtorët arsimor duhet të jenë shembull në këtë drejtim. MASHTI është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje të plotë fizike”, ka shtuar Kutleshi-Maliqaj.

Kujtojmë që numri i rasteve të reja me COVID-19 është duke u rritur në vend.

Derisa varianti Delta po përhapet me shpejtësi në shumë shtete dhe po kërcënon edhe Kosovën, vaksinimi i popullsisë është parë tejet i rëndësishëm.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik i kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga pandemia COVID-19.