Rriten importet e naftës ruse në Europë, duke vënë në dukje sfidën ndaj planeve të BE-së për ndalimin e tyre

Rriten importet e naftës ruse në Europë, duke vënë në dukje sfidën ndaj planeve të BE-së për ndalimin e tyre

Rritja e madhe e importeve të naftës gjatë korrikut tregon varësinë e rajonit për furnizimet me energji nga Rusia.

Europa rriti importet e saj të naftës nga Rusia me më shumë se 20 për qind gjatë muajit korrik, duke theksuar kështu sfidën e madhe me të cilën do të duhet të përballet kontinenti për t’u shkëputur nga furnizimet me energji të Moskës për të mos financuar luftën e saj në Ukrainë.

Rajoni importoi pothuajse 700,000 fuçi karburant në ditë nga Rusia muajin e kaluar, një shifër kjo më e lartë se muaji paraardhës dhe plot 22 për qind më e madhe krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, sipas Vortexa, grupit të gjurmimit të tankerave të naftës.

Kjo rritje tregon vështirësitë me të cilat do të përballet BE për të eliminuar importet e naftës ruse deri në muajin shkurt, siҫ është zotuar blloku në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Ne jemi shumë larg nga momenti kur Europa të mund të zëvendësojë naftën ruse,” tha David Wech, kryeekonomist në Vortexa. “Kam dyshime nëse europianët do të arrijnë ta zbatojnë plotësisht embargon e shpallur ndaj importeve të naftës.”

Vitet e fundit, varësia e Europës nga Rusia për furnizimet me naftë që përdoret nga kamionët e transportit, nga makinat dhe nga prodhuesit, është rritur vazhdimisht. Rusia përbën më shumë se gjysmën e importeve të naftës në rajon, sipas të dhënave nga Vortexa.

Varësia e Europës nga importet e Rusisë, të cilat përbëjnë përafërsisht rreth 15 për qind të konsumit të përgjithshëm të rajonit, ngre pyetjen nëse BE-ja është e përgatitur të përballet me forcën e plotë të sanksioneve që planifikon të zbatojë.

Si shenjë e shqetësimeve të Europës për sigurinë globale të energjisë, BE-ja lehtësoi sanksionet muajin e kaluar ndaj ndërmarrjeve shtetërore ruse, të tilla si Rosneft, duke lejuar kompanitë europiane që të kryejnë transaksione me këto ndërmarrje për naftën që do të shkojë drejt vendeve të treta.

Pjesa më e madhe e naftës në Europë vjen nga shndërrimi i naftës së papërpunuar në produkte karburanti nëpër rafineri, por kontinenti po vuan nga mungesa e kapacitetit të rafinimit pas reduktimeve të periudhës së pandemisë, kur kërkesa për karburant ra duke qenë se njerëzit udhëtonin më pak.

Wech tha se “pyetja kryesore” ishte nëse rafineritë në Amerikë, të cilat zakonisht fokusohen në prodhimin e benzinës, do të jenë të interesuara për marzhet e mëdha të fitimit që ofrohen për të prodhuar më shumë naftë për Europën.

Hendeku midis çmimeve të naftës së papërpunuar dhe naftës Brent është 35 dollarë për fuçi, krahasuar me 20 dollarë në rastin e benzinës, sipas S&P Global Commodity Insights.

Kina ka kapacitet ekzistues rafinimi për të prodhuar më shumë naftë, por Pekini i ka orientuar rafineritë e veta që të fokusohen në furnizimin e tregut vendas.

Në ditët e para të luftës në Ukrainë, disa nga kompanitë më të mëdha tregtare në botë dhanë alarmin për një mungesë të madhe të naftës në rang global, e cila mund të sillte racionimin e karburantit.

Këto kushte kanë bërë që nafta të arrijë nivele rekord të çmimeve. Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e naftës, duke përfshirë edhe taksat, ishin afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, në 1.9725 paund për litër më datë 15 korrik, sipas RAC.

Frika nga recesioni ka bërë që të ulen çmimet e naftës së papërpunuar dhe të karburantit gjatë javëve të fundit, por rritja e çmimeve të gazit, i cili kushton 10 herë më shumë sesa në dekadën e fundit në Europë, mund të shtojë presionin në tregun e naftës. Çmimet e gazit natyror janë kaq të larta, saqë kompanive dhe prodhuesve të energjisë po u ofrohen stimuj për të shkuar drejt prodhimit të energjisë me naftë, gjë e cila mund të rrisë kërkesën për naftë me plot 700,000 fuçi në ditë globalisht përgjatë dimrit, sipas JPMorgan.

“Kjo kërkesë shtesë për naftë për prodhimin e energjisë mund të sjellë akoma më shumë vështirësi tregun global të naftës dhe mund t’i çojë çmimet e saj në nivele tërësisht të reja”, tha JPMorgan./ Financial Times