Studimi i shërbimeve celulare në Shqipëri, One kompania më e mirë

Rritet konkurrenca në telefoninë celulare

Shkalla e përqendrimit të tregut të telefonisë celulare ra lehtë vitin e kaluar, për herë të parë që pas daljes nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP), indeksi HHI i përqendrimit të tregut, i matur sipas të ardhurave totale nga komunikimet elektronike, ra në 4129, nga 4149 që kishte qenë një vit më parë.

Indeksi HHI matet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Një rënie e indeksit HHI nënkupton se tregu ka një shkallë më të ulët përqendrimi dhe, në parim, është më konkurrues. Zakonisht, pragu poshtë të cilit një treg pranohet si konkurrues është 1500. Në intervalin mes 1500 dhe 2500 tregu vlerësohet me përqendrim të moderuar, ndërsa një shkallë mbi 2500 tregon përqendrim të lartë.

Megjithatë, për tregjet e telefonisë celulare nivelet më të larta të përqendrimit pranohen si normale. Këto tregje klasifikohen si oligopole natyrore dhe përgjithësisht ato kanë numër operatorësh më të ulët dhe shkallë përqendrimi më të lartë krahasuar me tregjet e tjera, ku nuk ekzistojnë barriera të mëdha hyrëse.

Ulja e shkallës së përqendrimit vitin e kaluar erdhi sidomos falë rritjes së pjesës së tregut të operatorit të dytë më të madh, One Telecommunications. Sipas AKEP, vitin e kaluar pjesa e tregut të One u rrit në 34%, nga 31% që kishte qenë një vit më parë. Në fakt të ardhurat e të gjithë operatorëve vitin e kaluar pësuan rënie, mesatarisht me 9%. Por, One ishte operatori që pësoi rënien më të të kufizuar, me vetëm 2% krahasuar me një vit më parë. Për Vodafone Albania, rënia e të ardhurave ishte 11%, ndërsa për Albtelecom kjo rënie arriti në 16%.

Vodafone ngelet ende me diferencë të madhe operatori më i madh në treg, me 53% të të ardhurave, por pjesa e tij e tregut ka rënë me një pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom ka pësuar një rënie me afërsisht dy pikë në pjesën e tregut, të matur sipas të ardhurave nga shërbimet celulare.

Ndryshimi i pronësisë mbi kompaninë ONE duket se i ka dhënë një gjallërim konkurrencës në tregun celular. Megjithatë, AKEP ka shprehur shqetësimin se konkurrenca po shoqërohet edhe me praktika të çmimeve grabitqare, që mund të dëmtojnë sidomos operatorët më të vegjël dhe në tërësi aftësinë e tregut për të siguruar fitime të mjaftueshme për të mbështetur investime të reja në të ardhmen.

Sipas të dhënave nga AKEP, rezultati i përbashkët i tre operatorëve celularë për vitin e kaluar ishte negativ në vlerën e rreth 235 milionë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga viti 2019, kur rezultati agregat kishte qenë pozitiv për më shumë se 1 miliardë lekë.

Përcaktuese në këtë përkeqësim ka qenë tkurrja e ndjeshme e rezultatit të kompanisë Vodafone Albania, që raportoi një fitim prej vetëm 120 milionë lekësh, ndërsa në vitin 2019 kishte arritur fitim për rreth 1.4 miliardë lekë. Ndikim negative dha edhe rezultati i Albtelecom, që thelloi humbjet për të dytin vit radhazi. Sipas AKEP, Albtelecom humbi rreth 1.18 miliardë lekë, nga 645 milionë lekë që kishte qenë humbja e vitit të mëparshëm.

I vetmi operator që për vitin e kaluar arriti të përmirësonte rezultatin e vet financiar ishte One, që raportoi një fitim në vlerën e 820 milionë lekëve, nga 285 milionë lekë fitim që kishte arritur për vitin 2019.

/E.Shehu/Monitor