Rritet numri i të papunëve në Britani. Hera e parë që kur nisi karantina e Covid-19. Perspektiva, e dobët

Rritet numri i të papunëve në Britani. Hera e parë që kur nisi karantina e Covid-19. Perspektiva, e dobët

Norma e papunësisë në Britani u rrit për të parën herë që kur nisi karantina e koronavirusit në muajin Mars, por të dhënat treguan gjithashtu se rritja e të papunëve nuk po përshpejtohet.   Norma e papunësisë u rrit në 4.1% në tremujorin e dytë, nga 3.9% që qëndronte në nisje të vitit. Skema e madhe e subvencioneve të vendeve të punës nga Qeveria ka parandaluar shumë largime. Të dhëna eksperimentale tregojnë se numri i stafit tek  lista e pagave të kompanive ka rënë me 36,000 në Gusht.  Kjo ishte më e madhe se humbja e vendeve të punës prej 20,000 në Korrik, por vetëm një pjesë e largimeve në masë në Prill dhe Maj.

Zyra e Statistikave kishte raportuar 114,000 humbje të vendeve të punës për Korrikun, por e uli këtë shifër pasi mori më shumë të dhëna. Në total numri i  të papunëve është shtuar me 695,000 nga Marsi në Gusht.  Analistët thonë se priten rënie të mëtejshme në Shtator dhe Tetor, kur punëdhënësit të paguajnë më shumë për koston e skemës së mbrojtjes së vendeve të punës të Qeverisë.   Të dhënat zyrtare për tremujorin e dytë treguan një rënie më të vogël se ç’pritej në numrin e personave në punësim, në 12,000,  sa një e dhjeta e projeksioneve.

Zyra e Statistikave bëri të ditur se shifrat mund të jenë ndikuar lehtë nga ndryshimi i mënyrës së intervistës së familjeve që prej nisjes së pandemisë. Sondazhi, që tashmë varet tek telefonatat dhe jo intervistat fizike, nënpërfaqësojnë njerëzit që marrin me qira shtëpitë dhe mbipërfaqësojnë pronarët që janë më pak në rrezik të papunësisë. Numri i vendeve vakante të punës u rrit në 434,000 në periudhën tremujore deri në Gusht, thuajse 30% sipër tremujorit të dytë.  Kompani në sektorë si turizmi dhe shitësit me pakicë, kanë lajmëruar humbje të mëdha të vendeve të punës.

Klevis Llaha / SCAN

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.