Rudari thotë se në Podujevë 4 persona janë në vetizolim, asnjë rast i ri me COVID-19 nga 20 prilli

Rudari thotë se në Podujevë 4 persona janë në vetizolim, asnjë rast i ri me COVID-19 nga 20 prilli – Lajmet e fundit



85-vjeçari nga Dumnica e Komunës së Podujevës ishte viktima e parë e shënuar nga koronavirusi në Kosovë. Njëkohësisht, Podujeva ishte edhe ndër qytetet e para që u prekën me këtë virus, e ku numri i të infektuarve në total arriti në nëntë.

Image

Por, nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari, ka konfirmuar për “Zërin”, se komuna e Podujevës nuk ka pasur asnjë rast të ri me koronavirus që nga 20 prilli.

“Gjendja në Komunën e Podujevës është stabile, prej 20 prillit nuk e kemi pasur asnjë rast”, ka thënë ai.

Në këtë komunë, sipas Rudarit, katër persona janë shëruar nga koronavirusi dhe katër të tjerë mbesin në vetizolim.

“Janë katër raste që janë shëruar plotësisht, një ka vdekur si dhe katër raste janë në izolim shtëpiak derisa ta përmbyllin atë periudhën dy javore që duhet të rrinë në izolim shtëpiak”, ka potencuar nënkryetari i Komunës për “Zërin”.

Në ndërkohë, ai ka folur edhe për masat që, sipas tij, qytetarët po arrijnë t’i respektojnë pasi që tashmë janë liruar disa nga masat e ndërmarra.

“Në masë të madhe po respektohen këto masa, mirëpo jo të gjithë. Megjithatë, unë i falënderoj të gjithë qytetarët që po i respektojnë masat. Ata na mbrojnë neve, mirëpo edhe vetveten”, përfundoi nënkryetari i kësaj Komune, Nexhmi Rudari.