Rusia në ‘epiqendrën’ e Samitit G7 – Në Londër do diskutohet për kërcënimet ndaj demokracisë

Rusia në ‘epiqendrën’ e Samitit G7 – Në Londër do diskutohet për kërcënimet ndaj demokracisë

Ministrat e jashtëm nga G-7 do të takohen në Londër të Martën për të diskutuar sfidat më të ngutshme gjeopolitike me të cilat përballet bota, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Britania e Madhe po pret ministrat e jashtëm dhe të zhvillimit të G-7 në takimet e para ballë për ballë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit dhe mbledhjen e parë të ministrave të jashtëm të grupit që nga viti 2019.

Çështjet gjeopolitike që Mbretëria e Bashkuar tha se “kërcënojnë të minojnë demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut” do të jenë në rendin e ditës të martën, duke përfshirë “marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe kriza në Mianmar, dhuna në Etiopi dhe lufta e vazhdueshme në Siri,”tha qeveria në një deklaratë.

“Aktiviteti i vazhdueshëm malinj” i Rusisë, tha Mbretëria e Bashkuar, duke përfshirë grumbullimin e trupave në kufirin me Ukrainën, burgosjen e saj të figurës së opozitës Alexei Navalny dhe situatën në Bjellorusi, janë në krye të axhendës.

Të hënën, Ministri i Jashtëm Britanik Dominic Raab u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken. Në një konferencë shtypi, ata përsëritën angazhimin e tyre të përbashkët për “ruajtjen e unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe në përgjigje të kërcënimeve të drejtpërdrejta”, tha Blinken.

D.B – SCAN
Burimi: CNBC

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.