Selimi apel ekspertëve të vetingut, kthehuni në Grupin Punues

Selimi apel ekspertëve të vetingut, kthehuni në Grupin Punues – Lajmet e fundit



Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka kërkuar nga ekspertët e dorëhequr nga ekipi përgatitor për procesin e vetingut në drejtësi që të rikthehen.

Ai tha se ky grup ekspertësh duhet të kthehet që të bëhet ky proces më i besueshëm.

“Pasi i kemi dërguar propozimet për përfaqësuesit e institucioneve, Grupi i Eksperteve ka dhënë dorëheqje. Për të qenë korrekt, ne ende do ta mbajmë hapur pikën ku grupi është ende i hapur për vazhdimin e procesit. Të kthehen që ta bëjnë këtë proces sa më të besueshëm”, ka thënë Selimi në një konferencë për media.

Ai ka bërë të ditur se janë konsultuar edhe me zyrën e kryeministrit, pastaj me KPK-në, prokuroritë në vend, si dhe me partnerët strategjikë, SHBA-në dhe BE-në.

“Kemi arritur në përfundim që të gjithë janë për që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe së bashku ta gjejmë modulin që ta rinisim sistemin e llogaridhënien. Vend do të ketë edhe për Grupin e Ekspertëve nga shoqëria civile”, raporton “Zëri.info”.

Selimi tha se në vendimin që sot pritet ta dërgojnë në Qeveri ende do të mbahet në fuqi pika ku Grupi i Ekspertëve mund të bëhet pjesë e këtij procesi.

Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga Grupi Punues për procesin e vetingut, që të gjithë anëtarët letrën e tyre të dorëheqjes ia kanë dërguar ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dy ditë më parë.

Ndërsa arsyeja e dorëheqjes nga ekspertët e dorëhequr të vetingut është përmendur se sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja ose kontributi i Grupit të Ekspertëve ka humbur rëndësinë. /Zëri