Sharmante, melankolike dhe e parezistueshme, muzika e Dren Abazit ngre veprën në nivelin e artistikes së mirëfilltë

Sharmante, melankolike dhe e parezistueshme, muzika e Dren Abazit ngre veprën në nivelin e artistikes së mirëfilltë

Era Berisha

Një përhumbje e mprehtë, dinamike dhe e pa shfrenuar që vjedhurazi lëmon tërësisht secilën kockë të qenies njerëzore duke përqafuar zjarret e ndezura në kujtesën tonë si një flakërim i heshtur, do të përshkruhej kështu ndjesia personale që vijon kur sekondat e para të këngëve të veçanta të Dren Abazit, thumbojnë me ndjeshmërinë dhe brishtësinë e tyre. Por, për të arritur dhe qëndruar në pikën ku shkrirja e tekstit dhe melodive furishëm kaplon dëgjuesin në imtësinë gërshetuese, duhet të përballohet me vështirësinë më të madhe të një artisti përgjatë viteve në skenë, e që një e tillë mbetet; të qënurit vetvetja. E këtë dhe jo vetëm, më së miri e rrëfen këngëtari dhe kompozitori, Dren Abazi, në një intervistë ekskluzive për KultPlus.

Krijimtaria muzikore e tij vallëzon në mesin e notave të lehta e gazmore të instrumenteve frymore diversive por vrapon shpejt edhe tek notat e rënda të kitarës, fuqia e së cilave godet gjithmonë në mënyrën më të përkryer e në kohën e duhur, duke përfunduar kështu në një kreshendo intensive të tingujve joshëse që papritmas zgjon tërqethet e njeriut të cilat tashmë janë të njohura me muzikën e Abazit. Ndërkohë, meloditë e drejtpërdrejta dhe melankolike përçojnë diçka shumë ndryshe nga e zakonshmja; një zhytje të thellë misterioze në drejtim të kryeveprave artistike, qasja e së cilave anon drejt poetikës eksplicite.

Në anën tjetër, videot muzikore janë disa nga videot më të mahnitshme që keni parë ndonjëherë. Sigurisht të menduara bukur e që ngjasojnë me copëza filmike, çdo klip është punuar sa në një mënyrë tejet elegante po aq edhe kinematografike. Ndonëse jo të identifikuara drejtpërdrejt në imazhet e vazhdueshme të klipeve, portrete të një bote të dominuar nga dashuria, epshi, trishtimi, dhembshuria dhe argëtimi, janë këto veçoritë e veçanta që shpalosen lehtësisht nën reflektimin vështrues të syve të krijuesit, shkruan KultPlus.

Por ajo që bie më shumë në sy në këto këngë nuk është teknika e Abazit, e shkëlqyeshme siç është, aq sa kompozimet mjeshtërore të tij të cilat ngërthejnë në vete një kompleksitet të padeshifruar, një prekshmëri të ngadaltë e të errët, një shkathtësi që emocionalisht të zapton në një përjetësi tingujsh dhe jo vetëm. Abazi me krijimin e një atmosfere përhumbëse, interpreton tekste të cilat përndjekin çdo enigmë që dridhet brenda shpirtit njerëzor e të cilat njëkohësisht na lejojnë të bredhim pas kërkimit vetjak të domethënieve të fshehura kur edhe grimcat më të vogla të tyre arrijnë të prekin diçka në sipërfaqen e realitetit tonë. Si një gjëegjëzë unike, Dren Abazi, çdo herë troket dhe sjell ajrin romantik përmes një gjithësie melodish e katastrofë tingujsh që pamëshirshëm plaçkitin zemrën e njeriut në një magjepsje të pakrahasueshme dhe krejtësisht origjinale.

Asgjë nuk e zgjon frikën time nga pranimi i emocioneve të papërpunuara më fort sesa të kujtohem për to në çdo krijim artistik që dëgjoj dhe shoh. Sidomos në muzikë. Pastaj, gjithmonë përpiqem të kuptoj atë që të tjerët e kanë shprehur tashmë me fjalë, me muzikë dhe praninë e tyre. I tillë është rasti me Dren Abazin dhe muzikën e tij e cila njihet jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri por edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

I lindur në Prishtinë, në një shtëpi ku muzika ka frymuar pothuajse tërë kohën, ai kësaj radhe ka shpalosur momente, çaste e edhe shkëputur mendime nga rrugëtimi i karrierës së tij muzikore që ka nisur qysh në fëmijëri e që ende zhurmshëm vazhdon gjallërimin e tij edhe sot e kësaj dite. Duke lënë anash momentet e pakta e jo të bukura të këtij rrugëtimi, janë pikërisht gjurmët e lumturisë, shpresës, dëshirave dhe dashurisë, ato të cilat po gumëzhinin brenda folesë së shpirtit të tij artistik e kjo portretizohej qysh në nisjen e kësaj interviste.

I rritur nga një baba muzikant i cili ishte i njohur për interpretimin në kitarë gjatë viteve të 80-ta, tingujt e atij instrumenti ishin shoqëruesit e parë muzikorë që ishin futur thellë në hapat e parë drejt pasionit për muzikën në përgjithësi. Ndërsa, momentet serioze kur ai ka tentuar të provojë diçka në muzikë ose qoftë edhe një interpretim në kitarë, ishin përgjatë fillimit të shkollës së mesme ku pikërisht në vitin e parë ai pati fatin që në klasë të takojë disa shokë të cilët po ashtu janë marrë me muzikë. Kështu, formimi i një bendi do të shënonte nisjen e një historie jashtëzakonisht tërheqëse.

Një këngëtar, meloditë dhe aranzhimet muzikore e të cilit në përgjithësi nënshtrohen ndaj teksteve të tij, natyrisht se posedon edhe një përgjegjësi të madhe duke pasur parasysh se 12 vite në skenë konsiderohen një kohëzgjatje që nuk mund të shpërfillet për një artist, me ç’rast ajo më e madhja për të do të ishte të qënurit shumë korrekt, dhurimi i asaj se çfarë publiku e pret nga ai dhe pse jo, edhe të tejkalimi i pritshmërive të tij.

Për procesin e të shkruarit të një teksti, fillimin dhe shënimin e fundit të tij, për Abazin duket se në ndihmë vjen ekzistenca e një fjale që: në art, muzikë dhe pikturë dhe në shumë sfera tjera të artit dhe të krijuarit, gjëja më e rëndësishme për të ditur është kur është mjaftueshëm. Pra, kur duhesh të ndalesh, dhe nëse e din këtë atëherë ke arritur të bësh diçka.

Mënyra klasike e të krijuarit dhe frymëzuarit kur p.sh. një personi papritmas i vjen një muzë e inspirimit dhe ai person nis të shkruaj diçka në ato momente, për të konsiderohet një besim jo shumë i duhur pasi që ai beson se shkrimi, krijimi i një kënge apo poezie është proces i njëjtë si me çdo punë tjetër. Bindja e vetvetes në mënyrë të vazhdueshme që duhet të shkruash diçka si njëfarë tentimi i vazhdueshëm për të krijuar, derisa arrihet një produkt i kënaqshëm për vete, është pikërisht ajo se çfarë e shtyn këngëtarin të vazhdojë krijimet e tij e sidomos tekstin; pjesa që vazhdon të jetë më e vështira për të.

“Shija është diçka që nuk diskutohet por unë e kam shumë më të vështirë ti shkruaj tekstet sesa të kompozojë meloditë muzikore që i shoqërojnë tekstet. Andaj edhe jam shumë kërkues në këtë aspekt”, thekson ai.

Ndërsa, kur flasim për tre komponentët kryesorë siç janë: muzika, teksti dhe ritmi, atëherë një melodi e varfër me një tekst të mirë është konsideruar si një këngë jo e mirë për arsye se është melodia ajo që tërheq gjithmonë njeriun e është pikërisht muzika që në fund të ditës nuk është ajo që njeh as gjuhë as komb e as religjion. Për këngëtarin, muzika mbetet diçka universale dhe që edhe shkenctarisht është e vërtetuar se muzika është gjuha e parë e njerëzve para se ata të fillonin të flisnin. Por, kompromisi mes tre elementeve e sidomos mes tekstit dhe vijës melodike, mendohet të jetë gjithmonë prezent.

Është posaçërisht dhuntia e tij lirike që e ngre veprën në nivelin e artistikes së mirëfilltë por se cilat janë cilësitë primare që e formojnë një artist i cili arrin një nivel të tillë, e tregon vetë Abazi.

“Mendoj që gjëja më e vështirë dhe njëkohësisht primare tek një artist është krijimi i identitetit të tij artistik. Në momentin kur dikush të dëgjon në radio dhe të identifikon lehtësisht atëherë nuk ka aspak rëndësi nëse i ke pëlqyer ose jo, e atëherë ti si artist ke arritur të dallohesh nga të tjerët me origjinalitetin tënd”, thotë Abazi.

Sipas tij, mungesa e konkurrencës fatkeqësisht krijon gjithmonë njëfarë invaliditeti për arsye se personi ndjehet i rehatshëm në zonën e komfortit që është krijuar. Por përkundrazi, ai mendon se ka shumë artistë të rinj që kanë filluar të eksplorojnë dhe të dalin pak nga vijat standarde të krijimit të muzikës, si p.sh. futja e instrumenteve frymore në krijimet e tyre, gjë që nuk ka qenë shumë e zakonshme por që shpreson se gjeneratat e reja do e ndjekin.

“Njeriu gjatë gjithë kohës është i ndikuar nga influenca të ndryshme edhe normalisht është shija ajo që me kalimin e kohës, ndryshon. Njeriu lind me një sasi të caktuar të talentit dhe asnjëherë nuk mundesh me qenë më i talentuar me kalimin e kohës. Talenti nuk është diçka që shtohet sepse talenti mbetet i njëjtë. Nëse ke sadopak talent, aq do të kesh tërë jetën dhe anasjelltas. Andaj, është shija ajo që neve na ndryshon dhe që varet edhe nga ndikimet që i posedon. Kështu që tash momentalisht unë dëgjoj shumë muzikë klasike sepse muzika klasike është ajo që më pëlqen dhe që unë e dëgjoj”, shpalos Abazi.

Për të, Leonard Cohen është njëri ndër artistët e shumtë që ai preferon, jo vetëm si këngëtar por edhe si poet. Leximi i poezive të tij dhe inspirimi nga këngët e tij shumë të bukura shihet se janë pothuajse një domosdoshmëri artistike. E kënga e titulluar ‘I‘m your man’ konsiderohet kënga më e preferuar e tij e sidomos për tekstin që ajo posedon.

“Gjëja më keqe në këtë profesion/punë, është në qoftë se performimi fillon të shndërrohet në diçka rutinore. Kam dëshirë që gjithmonë ti ik rutinës dhe pse ndonjëherë është e pamundshme por sidoqoftë unë mund të them që momentet më të lumtura të ditës dhe të jetës unë i përjetoj në skenë dhe ajo është dashuria ime më e madhe. Do të doja shumë që këtë punë ta bëj deri në fund të jetës. Por edhe publiku e luan një rol të rëndësishëm e kjo është një farë ‘bumerang’. Nëse publiku është i zjarrtë atëherë ajo energji të bën edhe ty më të zjarrtë. Nëse publiku është i heshtur atëherë ajo ndikon domosdoshmërisht edhe në performancën time. Por, dëshira ime për të performuar është gjithmonë e njëjtë”, thotë Abazi.

Në mesin e rrëfimit të tij, ai tregon se disa prej koncerteve që kanë lënë mbresa të pashlyeshme përgjatë këtyre viteve në skenë, janë koncertet e 10 vjetorit të tij dhe promovimit të albumit të fundit ‘Mes yjesh’, të cilat u shoqëruan me një turne koncertesh në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë. Këto koncerte konsiderohen vërtetë koncerte mirë të realizuara dhe pikërisht në Tiranë kanë qenë koncertet ku biletat janë shitur në një kohë rekord. Kurse, koncertin që ai do e veçonte më së shumti do të ishte koncerti në Prishtinë në muajin korrik të vitit 2019.

“Këngët që po të kisha mundësi, do i kthehesha edhe një herë për ti rikrijuar janë në fakt shumë prej tyre. Këtë ndjesi e kam shumë shpesh kur i dëgjoj këngët e mia dhe i ridëgjoj përsëri. Shumica e këngëve kanë të bëjnë me shijen e njeriut që ndryshon tërë kohën dhe zakonisht mendoj se do të mund ti këndoja më mirë sepse unë e kam një të ‘metë’ për arsye se kur i shkruaj këngët, i incizoj menjëherë dhe zakonisht mendoj që incizimi i parë, është më i miri por pastaj dyshimet vijnë më së shumti në orkestrim për mundësinë e të ndryshuarit diçka. Pra, jo diçka radikale”, thotë Abazi.

Tutje, edhe pse një zgjedhje e vështirë, ai shpalos edhe disa nga këngët e preferua të tij e që konsiderohen të jenë: ‘Mbreti i natës’, ‘Zjarr e akull’ dhe ‘Kur je me mu’, por kjo përzgjedhje bazohet tërësisht në ndjesinë që publiku i dhuron atij kur ai i këndon ato këngë. E në fakt, kënga që ka kaluar të gjitha pritshmëritë e tij dhe që shumë shpejt ka marrë statusin e ‘hitit’ dhe që shpesh kërkohet nëpër koncerte është kënga ‘Zjarr e akull’, dhe pse kjo është një prej këngëve të tija të fundit.

Duke pasur parasysh se muzika e një artisti të mirëfilltë që duket se kompleton qenien e të qënurit i tillë, është e vështirë për tu përshkruar vetëm në tre fjalë të vetme, është Abazi ai që e mbështjellë muzikën e tij në këto tre fjalë: sharmante, melankolike dhe e parezistueshme.

“Normalisht ekziston gjithmonë rreziku prej asaj që quhet ‘përsëritja e vetvetes’ por sidoqoftë në një këndvështrim tjetër, përsëritja e vetvetes është krijimi i stilit tënd, pati thënë Alfred Hitchcock. Kur njeriu e përsërit veten do të thotë se ai ka krijuar stilin e tij. Unë besoj që ky është vetëm fillimi akoma. Gjërat më të mira besoj që do të vijnë me kohën dhe për mua përmbushja më e madhe si artist në jetë do të ishte kohëzgjatja sa më e madhe në skenë”, thotë Abazi.

Kohët moderne kanë sjell shumë artistë që teknologjinë e kanë afër vetes në çdo sekondë, dhe kjo automatikisht shtyn që këngët e tilla të zbulohen vështirë nga gjeneratat e reja, por kjo tek Abazi dukshëm vërehet se nuk ndodh. Ai me një kënaqësi të madhe tregoi se gëzohet shumë kur në koncertet e tij sheh një publik të gjeneratës të re dhe kjo e bën të ndihet jashtëzakonisht mirë. Po ashtu, ai konsideron se ka një publik nga çdo gjeneratë duke pasur parasysh se p.sh. në koncertin e Gërmisë në Prishtinë ka ardhur një zonjë dikur rreth të 70-ave, pikërisht nga Turqia për koncertin e tij. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe në Shqipëri ku njerëzit vinin nga Italia. Tek koncertet e tij, publiku është padyshim i përzier dhe mund të gjesh çdo lloj gjenerate.

Ndërsa, kur u pyet se a do të dëshironte që të kujtohej përgjithmonë si ‘mbreti i natës’, ai përgjigjet se ai është një etiketim që ia kanë lënë njerëzit nga kënga e tij dhe nuk është që atij i pengon. Por, nuk është edhe diçka që atë e ekzalton.

“Unë para se gjithash jam një kitarist dhe shumë vonë kam filluar të këndoj sepse nuk e kam menduar fare që ndonjëherë mund të këndoj e ta shoh veten si një këngëtar. Kam qenë kitarist i pasionuar dhe kam kaluar orë të tëra në adoleshencë duke studiuar kitarën e ndoshta edhe prej faktit që babai im ka qenë një i tillë. Sot nuk do të mund të shihja veten vetëm në kitare. Është figura më komplete e një muzikanti kur ai edhe këndon. P.sh. Eric Clapton, është njëri nga kitaristët më të mirë në botë, por prapëseprapë ai është edhe një këngëtar. Andaj, nuk e shoh sot të ndarë këndimin prej kitarës, ashtu si s’do të mund të performoja vetëm në këndim”, shpalos Abazi.

Sipas tij, ka shumë shkrimtarë të mirë të teksteve por ai beson që secili kantautor ndjehet më rehat me tekstet e tij. ‘’Jo’’, është fjalë e madhe por përsëri ai ndjen veten shumë më rehat kur shkruan vetë.

“Normalisht që në rrugëtimin tim ka shumë momente të bukura dhe më pak të bukura por unë si Dren jam i prirë që më shumti ti mbaj mend vetëm momentet e bukura dhe kam qejf që të shoh përpara dhe të eci përpara, qoftë edhe në drejtim të gabuar, por thjesht të eci para. Nëse do të filloja përsëri nga pika e parë, asgjë hiç nuk do të bëja ndryshe. Gjithçka do të ishte njëjtë. Mbase nuk do i kisha bërë gabimet e njëjta por do i kisha bërë të tjera besoj”, thekson ai.

Kështu, krejt në fund ai shpalos edhe planet e tij për të ardhmen e në veçanti tregon edhe për projektin e tij të radhës e që do të vjen shumë shpejt.

“Gjithmonë duhet që artisti të jetë në hap me krijimet e reja e për të publikuar videoklipe sepse ndodhemi në një kohë të bombarduar me shumë artist të rinj dhe është pothuajse sikur një makineri shumë agresive. Kështu që nëse ndalojmë, humbim gjithçka. Për momentin, unë veçse kam mbaruar gati këngën e re dhe klipi është bërë gati. Videoklipi është xhiruar në një pjesë në Milano nga regjisori Gerti Ibra që jeton atje dhe me një aktore të njohur italiane që ai normalisht e ka kontaktuar sepse e ka njohur. Xhirimet i kam parë dhe më kanë pëlqyer shumë, ndërsa videospoti është në proces e sipër të editimit. Ndërkohë, unë akoma se kam mbaruar këngën sepse po ballafaqohem me një metodë të çuditshme me të cilën për herë të parë po punoj kështu por është diçka me të cilën po përshtatem lehtë”, tregon tutje Abazi.

Tutje, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që fansat e tij do e dëgjonin ndonjëherë, atëherë ajo mendohet të jetë: Ndiqini ëndrrat tuaja, punoni fort për to dhe mos u dorëzoni para vështirësive që ju dalin para. Ndërkohë, janë pikërisht pendesat që ndonjëherë fusin rrënjët brenda karrierës artistike të një personi por për Abazin duket se nuk ekziston asnjë e tillë.

Pas kësaj interviste që u shoqërua nën prezencën e seriozitetit, rikujtimeve, buzëqeshjeve dhe natyrisht origjinalitetit, intervista përgjatë plot 50 minutave mbajti zgjuar kuriozitetin dhe përfundoi me një dakordim se titujt janë pikërisht ato të cilat shënojnë fundin e një krijimi artistik, qoftë ajo në këngë, poezi apo çfarëdo lloj krijimi tjetër që hyn në gamën e artit.

Fotografitë: Xhemile Hysenaj / KultPlus.com