SHBA hyn në recesion teknik pas tkurrjes së rritjes ekonomike të tremujorit të dytë

SHBA hyn në recesion teknik pas tkurrjes së rritjes ekonomike të tremujorit të dytë

Ekonomia amerikane ra në një recesion teknik në tremujorin e dytë. Të dhënat e publikuara nga departamenti i tregtisë të enjten tregojnë një tkurrje në tremujorin e dytë të vitit.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ra me 0.9 % në bazë vjetore në tremujorin e dytë.

Në raport me tremujorin e mëparshëm (krahasimi më i përdorur në ekonomitë e mëdha) tkurrja ishte 0.2 %. Kjo është tkurrja e dytë radhazi, pasi të dhënat për PBB në tremujorin e parë të vitit tregojnë se ekonomia amerikane ra me 1.6 %.

Pavarësisht tkurrjes, konsumi i individëve, i cili jep një tendencë mbi aftësinë paguese të konsumatorëve amerikanë, u rrit me 1%. Ndonëse rimet janë ngadalësuar në raport me 1.8% që ishte treguesi në tremujorin e parë, ky nivel është ende dëshmi e fuqisë blerëse konsumatore.

Të dhënat e tremujorit të dytë tregojnë një rritje më të dobët të inventarit të bizneseve. Disa tregtues me pakicë kanë raportuar se inventarët e tyre u rritën jashtëzakonisht shpejt vitin e kaluar, pasi ata rimbushën raftet e tyre pasi zinxhiri i furnizimit u lehtësua nga bllokimi i Covid 19.

Një recesion teknik përkufizohet si dy tremujorë radhazi të tkurrjes së PBB-së. Megjithatë, SHBA-ja nuk e përdor këtë përkufizim dhe në vend të kësaj mbështetet në një përcaktim nga një grup studiuesish në Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike, bazuar në një gamë më të gjerë faktorësh.

Megjithatë, dy tremujorët e rritjes negative mund të shqetësojnë tregjet. Kontratat e së ardhmes në bursë ishin më të ulëta dhe yield-i i bonove të thesarit dyvjeçar, i cili është në linjë me pritjet e normave të interesit, ra.

Shifrat vijnë një ditë pasi Rezerva Federale rriti normat e interesit me 0.75 % si pjesë e një fushate agresive për të frenuar inflacionin. Rritjet e mëdha të normave të zbatuara nga banka qendrore në muajt e fundit kanë filluar të ngadalësojnë ekonominë dhe aktorët e tregut po vëzhgojnë nga afër për të parë nëse ky shtrëngim i shpejtë do ta çojë SHBA-në në recesion.

Tani për tani të dhënat nuk kanë gjasa të ndryshojnë parashikimet e Rezervave federale, thonë ekonomistët. Në konferencën e tij për shtyp, drejtuesi i Fed Jay Powell, tha se ai nuk besonte se SHBA ishte në një recesion dhe vuri në dukje fuqinë ekonomike të vendit si dhe tregun e punës.

Nuk ka ende tregues për uljen e dhënave të punësimit në SHBA, të cilat përdoren gjithashtu nga ekonomistët për të vlerësuar nëse një vend është në recesion apo jo. Papunësia është e qëndrueshme në 3.6 % niveli më i ulët që para pandemisë së Covid-19.

“PBB-ja është një masë e aktivitetit ekonomik, por sado e plotë që mund të duket. . . tregu i punës do të jetë matësi më i mirë nëse po shkojmë vërtet drejt një recesioni dhe nëse bizneset vërtetë po reduktojnë punësimin,” tha Gregory Daco, një ekonomist në EY-Parthenon.

“Nuk besoj që të dhënat e PBB do ndikojnë te Rezervat Federale”- tha Eric Winograd, një ekonomist në AllianceBernstein.
Sipas një parashikimi të GDPNoW i Atlanta Fed, i cili një vlerëson rritjen reale të PBB-së bazuar në të dhënat më aktuale ekonomike, kishte parashikuar një tkurrje prej 1.2 %./FT