Shënohet rënie e eksportit dhe importit të mallrave

Shënohet rënie e eksportit dhe importit të mallrave

Agjencia e Statistikave të Kosovës
(ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin
prill 2020.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e
Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6%) në
muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht
në vlerë prej 161.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë Euro
në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.9%.

Eksporti i mallrave në muajin prill
2020 kishte vlerën 32.6 milionë Euro, ndërsa importi 193.9 milionë Euro, që është
një rënie prej (-11.5%) për eksport dhe (-34.4%) për import, duke krahasuar me
periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore
të eksportit: 45.3% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej
tyre; 11.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.5% e përbëjnë
produktet e industrisë kimike; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet
dhe duhani; 5.6% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.3% e përbëjnë
produktet minerale; 4.6% e përbëjnë produktet bimore; 3.3% e përbëjnë
makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve
kryesore për import: 16.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani;
13.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.9% e përbëjnë
produktet e industrisë kimike; 9.9% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e
përbëjnë produktet bimore; 7.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre;
7.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 3.6% e përbëjnë mjetet e
transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën
në 12.4 milionë Euro, ose rreth 38.2% e eksporteve të përgjithshme, me një
rritje prej 1.1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin:
Gjermania (8.9%), Britania e Madhe (5.6%), Holanda (4.0%), Suedia (4.0%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së
ishin rreth 95.4 milionë Euro, ose 49.2% e importeve të përgjithshme, me një
rënie prej (-38.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.2%),
Greqia (6.7%), Italia(4.8%), Polonia (3.9%), Bullgaria (3.8%),  Kroacia (3.3%), etj.

Në muajin prill 2020, eksportet e
Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16.2 milionë Euro, ose 49.7% të
eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3.9%. Partnerë kryesorë për
eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (34.5%), Maqedonia e Veriut (7.1%),
Serbia (3.6%), dhe Mali i Zi (3.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s,
në muajin prill 2020, arritën në 37.6 milionë Euro, ose 19.4% të importeve të
përgjithshme, me një rënie prej (-21.0%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për
import ishin: Serbia (7.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%), dhe Shqipëria (3.9%).

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet
e tjera të botës arritën në 3.9 milionë Euro, ose 12.1%. Si partnerë më të
rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (7.7%) dhe
Turqia (1.2%).

Ndërsa, importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 60.8
milionë Euro, ose 31.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë
grup ishin: Turqia (10.8%) dhe Kina (8.7%).