Shkenca befasuese e të kaluarit bukur në punë

Shkenca befasuese e të kaluarit bukur në punë

Çfarë do të thotë të argëtohesh në punë? A është kjo kontradiktore? Apo është çelësi për një të ardhme më të mirë të punës?

 

Shumica e drejtuesve nuk kanë një intuitë të mirë për të gjetur mënyrat e duhura se si të krijojnë një ambient argëtues për punonjësit e tyre. Elementet kryesore të një mjedisi tradicional pune janë shumë larg ideve tona për të kaluar bukur në punë.

Nga ana tjetër, pajisjet moderne nga nismat e Silicon Valley – si për shembull tavolinat e pingpongut – mund të konsiderohen argëtuese në pamje të parë, por, a janë ato vërtet të tilla?

Në një botë ku vetëm 20% e punonjësve ndihen të angazhuar në vendin e punës, zbërthimi i shkencës për mënyrën se si mund të argëtohemi në punë është tashmë thelbësor për bizneset. Në mënyrë instiktive, shumë liderë e kuptojnë rëndësinë e krijimit të mjediseve argëtuese në punë, por ata hasin vështirësi në përmbushjen e këtij objektivi.

Përpjekjet e zakonshme për të organizuar “Happy Hours” pas orarit zyrtar të punës, apo nismat për të vendosur tavolinat e foosball në mjediset e punës, duket se nuk janë të mjaftueshme.

Një ndër fushat kryesore të studimeve të Asana Labs përfshin të kuptuarit e shkencës së të kaluarit bukur në punë.

Në një studim të realizuar nga Asana Labs, punonjësit e departamenteve të ndryshme të kompanisë u pyetën: “Çfarë nënkupton për ju argëtimi në punë?”. Nga analiza e përgjigjeve, rezultatet ishin befasuese.

 

Punonjësit kërkojnë argëtim të vërtetë, jo sipërfaqësor

Rezultati i parë kryesor që doli nga ky studim ishte se punonjësit e shohin argëtimin si të lidhur ngushtë me punën për të zgjidhur problemet e vështira. Punonjësit thanë se, për ta, argëtimi në punë do të thotë:

• Organizimi i paneleve të ndryshme dhe i tryezave të rrumbullakëta për të diskutuar temat më të vështira që dalin nga puna;
• Organizimi i sesioneve produktive të lidhura me tematikat e punës, për të ardhur me ide të reja;
• Zhvillimi i ideve kreative në dyshe ose në grupe.

Për të kuptuar më mirë këtë marrëdhënie midis argëtimit dhe zgjidhjes së problemeve të vështira, është e dobishme të dallojmë dy lloje të ndryshme të argëtimit: argëtimi i thellë dhe i vërtetë, si dhe argëtimi sipërfaqësor.

Siç ka shpjeguar Adam Grant, argëtimi sipërfaqësor përfshin lojërat në vendin e punës (të tilla si tavolinat e pingpongut dhe të foosball). Nga ana tjetër, argëtimi i thellë përfshin “punën me ata njerëz që zhvillojnë mendimet tuaja për të zgjidhur probleme të reja, të vështira dhe të rëndësishme”.

 

Surprizat

Rezultati i dytë kryesor i nxjerrë nga studimi është paksa i veçantë. Me sa duket, shkenca e argëtimit në vendin e punës përfshin surprizat. Shumë punonjës e lidhin idenë e argëtimit në punë me surprizat, si për shembull:

• Surprizat dhe kënaqësitë;
• Aventurat e rastësishme me kolegët gjatë ditës së punës;
• Sesione të rastësishme për gjenerimin e ideve të reja.

Si mund të shpjegohet marrëdhënia mes argëtimit dhe surprizave? Studimet tregojnë se befasia çliron dopaminën – një neurotransmetues i quajtur shpesh si “kimikati i kënaqësisë”.

 

Dhurata e kohës

Rezultati përfundimtar i këtij studimi është ndoshta më befasuesi. U zbulua se disa punonjës e lidhin argëtimin në punë me “dhuratën e kohës”.

Ata e lidhin argëtimin me efikasitetin, me mungesën e lodhjes, dhe madje edhe me reduktimin e numrit të mbledhjeve e të takimeve. Ata thanë, se për ta, argëtimi në punë dukej kështu:

• Të punuarit në fushata apo në projekte që drejtohen në mënyrë efikase;
• Një mjedis pune ku punonjësit punojnë pa u stërmunduar;
• Ditë pune pa takime të njëpasnjëshme.

Kjo lidhje midis argëtimit dhe dhuratës së kohës mund të jetë e papritur, por tregon nevojën e shfrenuar për kohë me të cilën janë përballur punonjësit për shumë dekada.

Studimet nga Gallup kanë zbuluar se 61% e amerikanëve që punojnë thonë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të bërë gjithçka që duan gjatë ditës.

 

Nuk duhet të ketë më kontradikta
Argëtimi dhe puna nuk ka pse të jenë në kontradiktë. Krejt e kundërta është e vërtetë. Argëtimi në punë është çelësi për të rritur angazhimin e punonjësve. Është koha të përqafoni shkencën sekrete të argëtimit në punë./INC