Shkrimtari me nam botëror në betejë për jetën

Shkrimtari me nam botëror në betejë për jetën

Salman Rushdie ka më shumë se tri dekada që përballet me një urdhër për t’i marrë jetën. Por shkrimtari me nam botëror të premten është përballur me një sulm të papritur. Ka marrë goditje me thikë në qafë derisa po mbante një ligjëratë në qendrën rinore e kulturore “Chautauqua” në jugperëndim të New Yorkut. Mediat gjithandej botës menjëherë kanë pasqyruar gjendjen. Policia ka arritur ta kapë të dyshuarin dhe Rushdie është dërguar në kujdes intensiv. Sulmi ndaj tij është përshkruar edhe si sulm ndaj fjalës së lirë.

“Rreth orës 11 të mëngjesit, një i dyshuar mashkull doli në skenë dhe sulmoi Rushdie dhe një intervistues”, ka bërë të ditur policia e shtetit të New Yorkut nëpërmjet një deklarate.

Policia ka bërë të ditur se Rushdie 75-vjeçar pësoi një plagë “të dukshme me thikë në qafë dhe u transportua me helikopter në një spital të zonës”.

“Gjendja e tij nuk dihet ende”, ka bërë të ditur policia duke shtuar se intervistuesi i Rushdies pësoi një lëndim të lehtë në kokë.

Informacione shtesë për sulmuesin nuk janë bërë të ditura.

Instituti “Chautauqua” ka bërë të ditur se Rushdie po kthehej për një diskutim rreth SHBA-së “si azil për shkrimtarët dhe artistët e tjerë në mërgim dhe si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese”. Atij i ishte bashkuar në skenë Henry Reese, bashkëthemelues i një grupi në Pittsburgh që strehon shkrimtarë që jetojnë në mërgim.

Instituti është qendër e një lëvizjeje më të gjerë arsimore dhe tani njihet për programin e tij veror, i cili fton autorë të famshëm, muzikantë dhe udhëheqës fetarë të flasin dhe të performojnë.

Për rastin ka folur edhe guvernatorja e New Yorkut, Kathy Hochul.

“Kjo ndodhi në një vend që është shumë i njohur për mua”, ka thënë Hochul, e cila e përshkroi Institutin “Chautauqua” si një komunitet të qetë dhe rural ku folësit, politikanët dhe intelektualët më të shquar mblidhen së bashku për të biseduar.

“Ky është një vend ideal që ai të mund të fliste dhe kjo është ajo që ai po përpiqej të bënte vetëm në orën e fundit para se të sulmohej”, ka thënë Hochul.

Por indiano-britaniku Salman Rushdie armiqtë nuk i ka të paktë. Mollë sherri që ai të përndiqet është bërë vepra e tij “Vargjet satanike”.

Libri për autorin e të cilit është kërkuar dënim me vdekje në vitin 2014 kishte mbërritur edhe në shqip. Ani pse përkthimi i veprës “Vargjet satanike” ishte paralajmëruar qysh më 2012, botuesi ishte tërhequr përkohësisht pas reagimeve që shpërthyen në Shqipëri.

Rushdie e shkroi këtë libër më 1988. Një vit më vonë, në shkurt të vitit 1989, ajatollahu i Iranit, Ruhollah Khomeini, nëpërmjet një mesazhi në radion iraniane kishte paralajmëruar vdekjen për ata që do ta lexonin këtë vepër.

“Unë njoftoj popullsinë krenare myslimane në botë që autori i librit ‘Vargjet satanike’, i cili është kundër islamit, profetit dhe Kur’anit, dhe të gjithë atyre që kanë gisht në botimin e tij, që janë të vetëdijshëm me përmbajtjen e tij, janë të dënuar me vdekje”, citohet mesazhi i udhëheqësit më të lartë të Iranit.

Si pasojë e këtij libri, përkthyesi japonez, Hitoshi Igarashi, në korrikun e vitit 1991 qe goditur me thikë e Ettore Capriolo përkthyes italian, po ashtu, është plagosur po të njëjtin muaj. Pa u sulmuar nuk kishte shpëtuar as William Nyggard, botues norvegjez që i mbijetoi atentatit në Oslo, në tetor të vitit 1993. Libri është vlerësuar lart nga shkrimtarë e media të njohura botërore.

“Udhëtimet e Guliverit” i Swiftit, “Kandidati i Volterit, “Tristam Shandy” i Sternit… më duket se Salman Rushdie është një anëtar i kohëve moderne të shoqërisë së tyre”, shkruan në një recension për këtë libër gazeta “The New York Times”.

Salman Rushdie është autor i disa romaneve si “Fëmijët e mesnatës” me të cilin që ka fituar çmimin “Booker Prize” në vitin 1981. Më pas u vlerësua me çmimin “Booker of Bookers” në vitin 1993 dhe çmimin “Best of the Booker” në vitin 2008. Romani “Psherëtima e fundit e Arapit” ka fituar çmimin “Whitbread Prize” në vitin 1995 dhe çmimin e Bashkimit Evropian “Aristeion” për letërsi në vitin 1996.

Rushdie kishte dalë edhe në mbrojtje të popullatës civile në Kosovë në vitet 1998-1999, kur shteti serb po kryente krime kundër njerëzimit në ish-Krahinën që është bërë shtet më 2008. Për dallim prej nobelistit austriak, Peter Handke, i cili mohon krimet e Slobodan Milosheviqit, Rushdie vepronte ndryshe. Bile, kishte kritikuar ashpër Handken.

Njëzet vjet përpara se Peter Handke të bëhej laureat i “Nobelit”, Rushdie i kishte dhënë atij një titull tjetër. Në vitin 1999, Salman Rushdie e emëroi atë si “Të marrin e vitit”. Më 2019 kur Handke u bë laureat i çmimit “Nobel”, Rushdie kishte thënë se qëndron prapa asaj që kishte thënë më 1999.