Shqipëria ia kthen Italisë instrumentin e vjedhur muzikor të shekullit XVIII

Shqipëria ia kthen Italisë instrumentin e vjedhur muzikor të shekullit XVIII

Instrumenti antik muzikor i vjedhur në vitin 2015, në Konservatorin e Parmës në Itali, i sjellë në Shqipëri për t’u shitur, iu dorëzua të martën autoriteteve italiane. Bëhet fjalë për klavikordën e shekullit XVIII, një instrument me tastierë i përdorur kryesisht gjatë mesjetës. Ky artefakt i trashëgimisë kulturore italiane, pas vjedhjes u gjet në një dyqan instrumentesh muzikore në Shqipëri.

Dorëzimi i instrumentit është bërë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës për Komandatin e Karabinierëve për trashëgiminë kulturore në një ceremoni të posaçme në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, citohet të ketë thënë se dorëzimi i këtij instrumenti është një shenjë e bashkëpunimit serioz me një vend mik si Italia.

“Është një takim, që shpreh një bashkëpunim të shkëlqyer, që ekziston ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore. Në fakt, objekti që do t’ua dorëzojmë sot autoriteteve italiane do të merret posaçërisht nga gjeneral Rikardi dhe stafi i tij. Është një objekt i trashëgimisë kulturore italiane me vlera të padiskutueshme historike, është një klavikordë, që i takon shekullit XVIII, saktësisht e prodhuar në vitin 1880, e cila është vjedhur në Parma, në vitin 2015. Dhe falë një bashkëpunimi të autoriteteve gjyqësore të Parmës dhe autoriteteve shqiptare, konkretisht Prokurorisë së Tiranës, në tetor të viti 2021, është bërë e mundur gjetja e kësaj klavikorde”, citohet të ketë thënë ministri Manja. Ai ka zbardhur edhe detaje të tjera për instrumentin, kontrabandimin dhe konfiskimin e instrumentit.

“Instrumentin e ka dorëzuar në tetor të vitit 2021, një qytetar nga Vlora dhe në fakt kjo klavikordë mbante vlera të jashtëzakonshme historike. I përket një koleksioni në Parma, dhe që në tetor të vitit 2021, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës është ruajtur dhe administruar në Ministrinë e Drejtësisë. E para, si provë materiale, e cila do t’iu dërgohet autoriteteve italiane, por dhe si një objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore italiane”, ka thënë Manja. Është shprehur i lumtur, që kjo vegël muzikore do të riatdhesohet në Itali, dhe e ka konsideruar dorëzimin si një shenjë të bashkëpunimit serioz ndërmjet autoriteteve gjyqësore.

“Natyrisht, ky nuk është bashkëpunimi i parë, por ne sot kemi rënë dakord që edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, bashkë me kolegen Elva Margariti (ministre e Kulturës në Shqipëri v.j.) dhe Ambasadën e Italisë në Shqipëri, ne ta shtrijmë këtë bashkëpunim në të ardhmen, pse jo për ta bërë të mundur riatdhesimin reciprok, të të gjitha veprave të trashëgimisë kulturore, që personat në konflikt me ligjin të ndëshkohen kudo që ata janë. Ndërsa këto vepra të shkojnë aty ku ishin”, ka thënë ai.