Shqipëria në mbështetje të Kosovës. Rama në Prishtinë: "Aktakuza e padrejtë, abortoi procesin e paqes"

Shqipëria në mbështetje të Kosovës. Rama në Prishtinë: “Aktakuza e padrejtë, abortoi procesin e paqes”

Në përmbyllje të vizitës së tij dyditore në Kosovë, kryeministri Edi Rama dha një konferencë për shtyp, ku ka shprehur mbështetjen  ndaj Kosovës në këtë moment delikat,  të krijuar pas aktakuzave të Prokurorisë së Hagës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, për krime lufte.

“Fletërrufe të revolucionit kulturor kinez” kështu e  vlerësoi Kryeministri Shqiptar Edi Rama aktakuzën e ngritur nga  Prokuroria  e Hagës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kreut të PDK, Kadri Veseli.  Në konferencën për shtyp të mbajtur në aeroportin e Prishtinës në përmbyllje të vizitës dy ditore  në Kosovë, Rama u shpreh se vizita e tij është për ti dhënë mbështetje Kosovës në këtë moment delikat, teksa theksoi se ajo aktakuzë e padrejtë ndërpreu një proces vendimtar, si ai i bisedimeve me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

“Procesi i vështirë i pajtimit nuk është vetëm çështje e ballafaqimit të së kaluarës përmes drejtësisë, por edhe e ndërtimit të së ardhmes përmes politikës. Komunikata, e ashtuquajtur për mua një fletërrufe e ngjashme si dy pika uji me komunikatat përgjatë revolucionit kulturor kinez është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit të saj përbën një arsye, pavarësisht nëse publikimi i saj është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi me rëndësi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj gjykate speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces që lidhet me paqen”, tha Rama në një konferencë për mediat në Prishtinë.

Kryeministri, krahas çështjes në fjalë  nuk nguroi të jepte dhe një lajm të mirë për të dy vendet, duke vënë theksin te rrjeti i përbashkët energjetik që do të nisë nga puna së shpejti:

“Hyrje përfundimisht në funksion të rrjetit të përbashkët elektrik-energjitik midis Shqipërisë dhe Kosovës, falë dhe përfshirjes përfundimisht të Kosovës në tregun e përbashkët energjitik. Është lajm i gëzueshëm për faktin se sa kohë na është dashur të prisnim që kur vumë në lëvizje inventimin e madh dhe pastaj e përfunduam atë, por ishte një sistem llambash me çelës të mbyllur dhe nga sot faktikisht hyn plotësisht në funksion”- u shpreh kryeministri Rama.

Nertila Doko / SCAN 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.