Shqiptarët rrisin të ardhurat me 7.8%, BB: "Ngjiten në 5240 USD në vit, por sërish të parafundit në rajon, pas Kosovës"

Shqiptarët rrisin të ardhurat me 7.8%, BB: “Ngjiten në 5240 USD në vit, por sërish të parafundit në rajon, pas Kosovës”

Ashtu si ç`do fillim korriku, edhe këtë vit, Banka Botërore ka publikuar listën e përditësuar të të gjitha shteteve të botës  sa i përket të ardhurave kombëtare bruto për frymë. Shqipëria, edhe këtë vit klasifikohet në grupin e vendeve me të ardhurave të larta dhe të mesme. Të ardhurat kombëtare bruto i referohen të gjithë fitimit vjetor të njerëzve dhe bizneseve në një vend të caktuar, dhe ky indikator përdoret gjerësisht si një matës i mirë i mirëqenies së një popullsie.

Të dhënat e përditësuara i referohen vitit 2019. Sipas shifrave, të ardhurat kombëtare bruto për fryme, ose koeficenti GNI për frymë, në Shqipëri është ngjitur në 5240 dollarë për frymë, nga 4860 që ishte vitin paraardhës.  Pra, rritja fiksohet në masën 7.8% në harkun e një viti. Nga viti 2013 deri në vitin 2017 ky indikator për Shqipërinë rezulton të ketë qenë në rënie.

Krahasuar me rajonin ndërkohë, norma prej vetëm 5240 dollarë për frymë të ardhura kombëtare bruto është më e ulta, pas Kosovës. Bosnje Hercegovina në rreth 6 mijë dollarë për frymë, Maqedonia e Veriut me rreth $5900, Serbia me rreth 7 mijë dhe Mali i Zi me rreth 9 mijë dollarë, janë bindshëm mbi ne sa i përket asaj që fitojnë në vit.

Roel Kërkuti / SCAN 

*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.