Si përhapin dezinformata për Kosovën kanalet ruse dhe proruse në “Telegram”?

Si përhapin dezinformata për Kosovën kanalet ruse dhe proruse në “Telegram”? – Lajmet e fundit

Foto: Reuters


Kanalet ruse dhe ato proruse në platformën “Telegram”, të cilat deri së fundi kanë qenë të fokusuara në luftën në Ukrainë dhe arsyetimin e pushtimit nga ana e Rusisë, shpejt i kanë kthyer sytë kah veriu i Kosovës.

Situata në veri të Kosovës ka nisur të normalizohet më 1 gusht, pas largimit të barrikadave që kanë vendosur serbët lokalë më 31 korrik në rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat janë vënë si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – të datës 29 qershor – për zbatimin e vendimeve për targat e makinave dhe dokumentet e Serbisë nga data 1 gusht.

Pas rritjes së tensioneve, Qeveria ka shtyrë për një muaj datën për zbatim të vendimeve.

Shpërndarje e organizuar e dezinformatave

Konsistenca e një rrjeti të organizuar është vërtetuar më 31 korrik, pas orës 19:00, kur kanalet që transmetojnë në gjuhën ruse dhe atë serbe, kanë publikuar njoftimin e njëjtë me një dallim prej disa minutash.

Informacioni ka qenë për plagosjen e parë të supozuar të një serbi në një bllokadë në rrugë që çon drejt vendkalimit në Jarinjë.

Edhe djathtisti rus, Vladislav Pozdnyakov, themelues i organizatës radikale “Burrat e shtetit”, e ka bërë këtë postim.

Në postimet tjera të tij, ai mbështet hapur pushtimin rus në Ukrainë.

Në këtë platformë ai ka më shumë se 116 mijë ndjekës.

Drejtori i Qendrës shëndetësore në Mitrovicën Veriore, Zllatan Elek, ka konfirmuar për mediat lokale të dielën se asnjë person i plagosur nuk ka shkuar në këtë institucion prej nisjes së bllokadës më 31 korrik.

Policia e Kosovës ka raportuar për të shtëna me armë zjarri – disa në drejtim të njësiteve policore – por që nuk ka pasur të plagosur.

Kanalet ruse kanë publikuar edhe një fotografi ku shihen çizme dhe një pjesë uniforme e një personi të paidentifikuar me deklaratat se ushtria serbe është në gatishmëri për të luftuar në pikëkalimin mes Serbisë dhe Kosovës.

Image
Kanalet ruse dhe ato serbe duke shpërndarë dezinformata për situatën në Kosovë.

Ushtria Serbe, që nga viti 2001, ka të drejtë të patrullojë zonën e sigurisë tokësore, e cila mbulon një zonë pesë kilometra të gjerë përgjatë kufirit me Kosovën. Megjithatë, që nga tërheqja nga Kosova në qershor të vitit 1999, ushtria dhe policia serbe nuk mund të kalojnë në territorin e Kosovës.

Për shkak të dezinformatave që janë përhapur për ushtrinë serbe, Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar më 31 korrik, duke thënë në faqen e saj zyrtare se “ushtria serbe nuk ka kaluar në territorin e Kosovës në asnjë mënyrë”.

Rreth gjysmë ore më vonë, llogaria “Rebelimi është gjendje shpirtërore”, e cila poston në gjuhën serbe dhe ka rreth 61 mijë ndjekës, ka publikuar informacion nga një kanal simotër për raportimet jozyrtare të transferimit të aeroplanëve serbë në zonat rreth Kosovës.

Kjo llogari poston në baza ditore informacione për pushtimin e Ukrainës.

Disa minuta më vonë edhe kanali “Serbski Vestnik” (Lajmëtari serb) dhe disa kanale në gjuhën ruse “Velika Rusia” and “Orlovi” e kanë bërë të njëjtën gjë në gjuhët respektive.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU